Belgjikë, 10 dhjetor NOA - Policia e Brukselit  ka organizuar një aksion me qëllim goditjen e një klani mafioz shqiptar të vendosur në Belgjikë.
Rreth 150 punonjës policie kryen njëzet kontrolle banesash njëkohësisht në të gjithë territorin belg, (ndër të tjera, në Mons, Borinazh, Morlanuelc, Molenbek, Uemel, Kukelberg, Luvën, Uavrë, Nivel dhe Vervje).
Sipas policisë belge e cila lëshoi një komunikatë, organizata mafioze shqiptare ka qenë aktive kryesisht në grabitjet e ngarkesave të mauneve në sheshpushimet përgjatë autostradave të Belgjikës dhe të veriut të Francës, kjo organizatë familjare dhe klanore, ishte e përfshirë gjithashtu edhe në veprimtari të tjera kriminale si trafik droge, emigracion klandestin dhe falsifikim dokumentesh edhe në vende të tjera evropiane, (Suedi, Holandë, Itali, Çeki, Zvicër etj).
Me origjinë nga zona e veriut të Shqipërisë, kjo organizatë mafioze ishte shumë aktive në Belgjikë që prej shumë vitesh.
Në përfundim të operacionit, u ndaluan 25 vetë, tetë prej tyre u vunë në arrest dhe pjesa tjetër ndiqet në gjendje të lirë. Një "plaçkë" e konsiderueshme e përbërë nga goma të reja automjetesh, parfume të shtrenjta, kozmetikë, veshje dhe aparatura elektronike e informatike u gjet e fshehur në adresa të ndryshme.
Nga hetimi rezultoi ekzistenca e një sistemi të mirëorganizuar shitjeje dhe rishitjeje të sendeve të grabitura.
Për shembull, gomat e reja të vjedhura në ngarkesat e mauneve u rishiteshin nëpërmjet një ndërmjetësi brukselas dyqaneve më të mëdha të gomave.
Aktivë që prej një viti, të dyshuarit vepronin gjatë natës të ndarë në grupe të vogla të mirëorganizuara, duke u zhvendosur nga një sheshpushimi në tjetrin nëpër autostrada ku identifikonin maunet shoferët e të cilave ishin në gjumë. Pasi prisnin tendat e tyre, u grabisnin ngarkesat.
Hetimi vazhdon intensivisht nën drejtimin e gjykatëses hetuese Madamë Lalu të Monsit.
"E fillonin ekspeditën grabitëse pothuaj çdo natë rreth orës 23.00 dhe rreth orës 4-5 të mëngjesit të gjithë plaçkën e grabitur e magazinonin në Bruksel. Nuk bënin dallim në mallrat që grabisnin, gjithçka ishte me interes për ta, që nga parfumet deri tek autogomat. Vepronin në mënyrë shumë të organizuar. Një natë kanë arritur të kryenin dy udhëtime vajtje-ardhje nga veriu i Francës deri në Bruksel për të transportuar të gjithë plaçkën e grabitur. I kishin grabitur të gjithë ngarkesën e autogomave në një maune shoferi i të cilës po flinte gjumë, për shkak se që kur ishte nisur nga Spanja, nuk kishte ndaluar të pushonte. Këta shqiptarë ishin të aftë të shkarkonin-ngarkonin 50 deri në 100 autogoma brenda dhjetë minutave", tha Prokurori i Mbretit i Monsit, Christian Henry.