Tiranë, 10 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja doli sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka komentuar rritjen e çmimeve të ushqimeve sipas INSTAT vetëm në muajin nëntor.
"Instituti i Statistikave publikoi indeksin e rritjes së çmimeve të konsumit për muajin nëntor 2009.
Në nëntor çmimet janë rritur më shumë se në secilin prej muajve të vitit 2009.
Në nëntor, sipas INSTAT çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur me 5.6 %. Ka 6 muaj rresht që ushqimet rriten me më shumë se 5 %.
Shtrenjtimi i ushqimeve e ka bërë të papërballueshme jetesën për familjet e varfra, për familjet në ndihmë ekonomike, për familjet e pensionistëve, për familjet e të papunëve. Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare shpenzojnë të gjitha të ardhurat mujore për ushqim dhe jetesë bazë" tha Beqja.
Sipas deputetit socialist Instituti i Statistikave, është kthyer në një vegël në shërbim të qeverisë, që po fsheh qëllimisht të vërtetën për shtrenjtimin e shërbimeve spitalore.
"Në nëntor 2009, ashtu siç është bërë e njohur botërisht, tarifat e shërbimeve spitalore janë 4 fishuar për 800 mijë shqiptarë në moshë pune të pasiguruar. Këtë të vërtetë të hidhur INSTAT ia fsheh qëllimisht shqiptarëve dhe nuk e llogarit për të nxjerrë një inflacion sa më të ulët.
Ky institucion, pra INSTAT është bërë i pabesueshëm, ashtu si e gjithë qeveria e qeverisja e këtij vendi. Shqiptarët nuk pranojnë të qeverisen kështu, ndaj nuk e votuan Berishën. Sali Berisha dhe mazhoranca ilegjitime nuk mund të vazhdojnë gjatë të fshehë të vërtetën që ndodhet në kutitë e votimit" përfundoi Beqja.
k.k/NOA
Â