English

Berisha garanton Samaras për mbështetje ndaj investimeve greke në Shqipëri

Bon, 10 dhjetor, NOA - Qeveria shqiptare garanton mbështetjen e plotë ndaj investimeve greke që bëhen në territorin e Shqipërisë, në mënyrë që ato të jenë një histori suksesi. Â

Një fakt të tillë, kryeministri Berisha ia ka komunikuar kryetarit të partisë greke Demokracia e Re, Antonis Samaras gjatë një takimi të përbashkët që patën në kuadrin e Kongresit të Partive Popullore Evropiane në Bon të Gjermanisë.

Nga ana e tij, Samaras, vlerësoi arritjet e Shqipërisë nën udhëheqjen e kryeministrit Berisha në vitet e fundit, veçanërisht reformat e rëndësishme ekonomike të ndërmarra prej qeverisë shqiptare, si dhe përpjekjet përmes implementimit të reformave thelbësore, për plotësimin e standardeve për integrimin në Bashkimin Evropian.

Të dy personalitetet vlerësuan më tej gjatë bisedës së tyre marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe dy partive simotra dhe theksuan vullnetin e të dy palëve për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel akoma më të lartë, në interes të zhvillimit të të dy vendeve dhe mirëqenies së dy popujve miq. Â

Nga ana e tij, kryeministri Berisha e njohu Samaras me zhvillimet në vend dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në fushën ekonomike, për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin, duke përmendur këtu; politikën e uljes së taksave, vendosjen e taksës së sheshtë, vendosjen e prokurimeve elektronike, taksave elektronike, heqjen e 2/3 së lejeve dhe licencave dhe vendosjen e të tjerave të sistemin "One Stop Shop, shkurtimin e shpenzimeve të administratës etj.

"Këto masa kanë sjellë rritjet e të ardhurave dhe i kanë dhënë biznesit shumë më tepër frymëmarrje", theksoi kryeministri Berisha gjatë këtij takimi.

n.e/NOA

KOMENTE