Tiranë, 10 dhjetor, NOA - Kryeministri Berisha ka marrë mbështetje të plotë nga liderët evropianë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si edhe liberalizmin e vizave.
Nga ana tjetër, ata i kanë shprehur atij edhe mirëkuptimin e plotë në lidhje me  qëndrimin kundërshtues të qeverisë shqiptare lidhur me kërkesën e paraqitur nga opozita për rinumërim të votave të procesit të 28 qershorit.
Një fakt i tillë komunikohet nga një deklaratë e lëshuar nga Kryeministria lidhur me takimet që kreu i qeverisë, Sali Berisha ka zhvilluar në Bon me përfaqësues të lartë evropianë në Bon gjatë Kongresit të Partive Popullore.
Ndërsa thuhet se kryeministri Berisha në ditën e dytë të vizitës së tij në Bon mori pjesë në sesionin e dytë plenar, i cili u përqendrua në votimet për modifikimet e statutit si dhe në nxjerrjen e rezolutës përfundimtare të këtij kongresi, komunikohet edhe fakti se ai
gjatë këtij sesioni pati rastin të takonte dhe të përshëndetej me shumë liderë evropiane si presidentin e sapozgjedhur të BE Herman Van Rompuy, kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministrin suedez Fredrik Reinfeldt, kryeministri italian Silvio Berliskoni, presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso etj.
Mësohet se ai ka marrë prej tyre mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizmin e vizave si dhe gjeti mirëkuptimin e plotë të tyre për qëndrimin e qeverisë lidhur me kërkesën e opozitës për rinumërim të votave.
"Në të gjitha bisedimet me kolegët e mi, natyrisht që kam trajtuar edhe kërkesën absurde të opozitës për të rinumëruar votat e kam gjetur mirëkuptim të plotë nga bashkëbiseduesit e mi për qëndrimin e qeverisë ndaj kësaj kërkese", është shprehur Berisha lidhur me rezultatin e këtyre takimeve me përfaqësuesit e lartë evropianë.
Ndër të tjera, ai ka komunikuar edhe faktin se ata i kanë përcjellë mbështetjen absolute për procesin e integrimit dhe liberalizimin e vizave.
"Në radhë të parë diskutova për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjeta mbështetje të plotë; një diskutim të veçantë pata kësaj radhe me presidentin e sapo zgjedhur të BE-së, Herman Van Rompuy, të cilin kam patur rastin ta njoh dhe të kem lidhje mjaft pozitive, ndofta dhe miqësore edhe para këtij takimi që zhvilluam, e njoha me të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Ai më premtoi se vitin e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë, sikundër kam marrë një premtim të prerë nga Kancelarja Merkel  për të vizituar Shqipërinë", tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Por që nga Boni, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se "jehona botërore e festimit të 8 Dhjetorit në Tiranë ishte e pranishme gjerësisht edhe në Kongresin e Partive Evropiane".
"Janë të shumtë pjesëmarrësit e tij apo udhëheqësit kryesorë të vendeve anëtare të BE dhe vendeve të tjera, të cilët kishin ngelur jashtëzakonisht të entuziazmuar nga ajo shfaqje madhështore", vlerësoi kryeministri lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA