English

Pas krizës, zgjedhjet tona janë të kufizuara

Tashmë, pas krizës, zgjedhjet tona të politikës janë të kufizuara. Në një pikëpamje të gjerë, rajoni duhet të zgjedhë një filozofi të re, ndryshe nga modeli i nxitjes së boom-it ekonomik, i adoptuar gjatë dekadës së fundit. Unë kam bindjen se ky duhet të jetë fokusi qendror i Politikave Rajonale

Nga Ardian Fullani*

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Gjatë 20 viteve të fundit, rajoni ynë ka pësuar ndryshime të thella strukturore, të cilat kanë çuar në krijimin e stimujve ekonomikë dhe në nxitjen e rritjes ekonomike.

Në fazat e hershme të tranzicionit, një transformim i shpejtë dhe i konsiderueshëm, fillimisht i tregut të punës dhe më pas i atij të kapitalit, riorientoi të gjithë faktorët e prodhimit drejt sektorëve më tepër produktivë. Kjo kontribuoi në rritjen e produktivitetit total sipas faktorëve të prodhimit dhe për rrjedhojë, në një rritje të shpejtë ekonomike.

Faza përfundimtare e tranzicionit u dominua nga një proces intensiv i thellimit financiar, i nxitur, ndër të tjera, nga flukse hyrëse të kapitalit me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ky ndërmjetësim financiar nxiti rritjen e kredisë dhe të konsumit, duke çuar kështu në adoptimin e një modeli rritjeje nëpërmjet krijimit të kapaciteteve për thithjen e investimeve të huaja.

Tashmë, pas krizës, zgjedhjet tona të politikës janë të kufizuara. Në një pikëpamje të gjerë, rajoni duhet të zgjedhë një filozofi të re, ndryshe nga modeli i nxitjes së boom-it ekonomik, i adoptuar gjatë dekadës së fundit. Unë kam bindjen se ky duhet të jetë fokusi qendror i Politikave Rajonale. Â Â Â Â Â Â Â Â

Kriza e fundit nxori në pah disa probleme në modelet tona të rritjes. Procesi i përafrimit të shpejtë ishte një model rritjeje i bazuar më tepër në konsumin e paqëndrueshëm, sesa një model rritjeje i bazuar në ekuilibra të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Pavarësisht konsolidimit të përgjithshëm fiskal dhe normave relativisht të larta të rritjes ekonomike, ky proces rezultoi në rritjen e zhbalancimeve makroekonomike, të evidentuara më së shumti në zgjerimin e shpejtë të deficiteve të llogarisë korrente.

Nga pikëpamja e analizës mikro, ai u reflektua në një pozicion financiar të paqëndrueshëm të bilanceve të bizneseve dhe të individëve, i shoqëruar nga konkurrenca e vazhdueshme e sistemit bankar për rritjen e pjesës të tregut në produkte dhe shërbime.

Është pikërisht për këtë arsye, pse arritjet e fituara me aq vështirësi gjatë 15 viteve të fundit në Evropën Lindore u zhbënë brenda një jave të vetme.

Sot, një vit pas fillimit të krizës financiare, më duhet të pohoj se të gjitha masat e ndërmarra nga bankat qendrore të vendeve të rajonit kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën. Sipas mendimit tim, masat e marra gjatë kësaj periudhe janë përgjithësisht të natyrës ekstreme; ato janë të pazakonta dhe bien ndesh me "kushtetutën" e një banke qendrore moderne në drejtim të likuiditetit, të tregut të parasë dhe të kanaleve të transmetimit të politikës monetare. Megjithatë, ne kemi përqafuar filozofinë se "qëllimi justifikon mjetin".

Pavarësisht nga këto zhvillime, mendoj se banka qendrore është bërë më e ndjeshme në drejtim të pavarësisë dhe të eficiencës së politikës monetare. Sigurimi i likuiditetit në çdo rast, në çdo sasi, me çfarëdolloj afati maturimi dhe pranimi i çdo lloj kolaterali, pa dyshim që cenon politikën monetare, me efekte të mundshme të raundit të dytë mbi stabilitetin financiar. Nëse bankat qendrore, në periudhën afatshkurtër, do të zhvendosnin fokusin e tyre nga objektivi i tyre kryesor në mbështetjen e rritjes ekonomike me çdo çmim, atëherë këto politika, në mënyrë të tërthortë, do të krijonin premisa për zhbalancime ekonomike afatgjata.

Politikat aktuale të adoptuara nga autoritetet monetare dhe ato fiskale nuk duhet të konsiderohen si një normalitet i ri. Teksa ekonomia globale është në procesin e arritjes së një ekuilibri të ri, përpjekjet aktuale stimuluese duhet të zëvendësohen nga politika të shëndosha dhe afatgjata të natyrës makroprudente. Për këtë arsye, sfida për ekonomitë tona në periudhën afatgjatë është adresimi i problemeve aktuale dhe të atyre të trashëguara, mbi një model të ri rritjeje, i bazuar mbi: (i) rritjen e kursimeve dhe të investimeve, duke synuar arritjen e një niveli të përmbajtur konsumi, i cili është i barabartë me nivelin e prodhimit vendas; (ii) flukset hyrëse të vazhdueshme të investimeve të huaja direkte, të orientuara drejt sektorëve të tregtueshëm; si dhe (iii) bashkëpunimin rajonal.

Më lejoni të ndaj shkurtimisht me ju disa opinione lidhur me rëndësinë e pikës së fundit, më konkretisht të bashkëpunimit rajonal. Argumentet e mëposhtme paraqesin përfitimet e bashkëpunimit nga disa pikëpamje:

Nga pikëpamja e zhvillimit, rritja e bashkëpunimit dhe e integrimit në nivel rajonal krijon më tepër hapësira për ekonomitë e shkallës. Një gjë e tillë inkurajon investitorët vendas dhe të huaj, që të ndërmarrin projekte të mëdha investimi, të cilat ndryshe nuk do të ishin fitimprurëse. Një avantazh tjetër do të ishte rritja e specializimit të ekonomive tona, çka do të gjeneronte një performancë më të lartë ekonomike.

Nga pikëpamja e politikës, koordinimi i politikave makroekonomike, i kuadrove ligjorë dhe i mekanizmave të natyrës prudente, do të përmirësonin alokimin e burimeve dhe do të parandalonin adoptimin e politikave përfituese për një vend, por në kurriz të vendeve të tjera. Kjo politikë individualiste nuk do të sillte përfitime për mbarë rajonin tonë.

Nga pikëpamja strategjike, rajoni ynë është konkurrues me disa rajone të tjera globale me ekonomi në zhvillim. Nuk mjafton më të jesh i pari i fshatit, veçanërisht në një kohë kur numri i fshatrave në nivel global është në rritje dhe numri i burrave të mençur, gjithashtu.

Nga pikëpamja e konvergjencës, ndarja e përvojave do të shmangte gabime të kushtueshme, ndërkohë që adoptimi i politikave dhe ndërmarrja e hapave në mënyrë të koordinuar do të nxiste integrimin më të shpejtë në BE. Ne duhet të vërtetojmë, se rajoni ynë është i denjë për t'u bashkuar me pjesën tjetër të grupit, pikë së pari duke adoptuar rregullat e grupit ndërmjet vetë njëri-tjetrit.

Në një përqasje më teknike dhe konkrete, përpjekjet e autoriteteve publike në rajonin tonë për arritjen e një bashkëpunimi real dhe kuptimplotë, duhet të konsiderojnë si vijon:

Së pari, duhet të ndryshojë mentaliteti i shoqërive tona në rajon. Dihet që ky rajon ka një histori të mbushur me konflikte dhe mosmarrëveshje.

I përket brezit të ri dhe njerëzve që përqafojnë të renë në rajon, të gjejnë zgjidhjet dhe të inkurajojnë ato sjellje që do të çojnë drejt të ardhmes tonë në Evropë.

Së dyti, angazhimi për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian duhet të shërbejë si një platformë solide për bashkëpunim dhe si një ankorë për ndjekjen e politikave të shëndosha dhe reformave të bashkërenduara strukturore.

Së treti, një kusht paraprak mjaft i rëndësishëm është edhe forcimi i ankorave të brendshme të vendeve, veçanërisht në formën e rregullave fiskale afatmesme, këshillave fiskale, apo përcaktimit të detyrimeve fiskale në kushtetutat e vendeve.

Së katërti, duhet të krijohet një bazë ligjore, që të mbështesë këtë bashkëpunim ndërkombëtar, i cili duhet të udhëhiqet nga parime të konsoliduara dhe të rëndësishme për gjithë rajonin.

Së pesti, nevojiten urgjentisht politika që do të inkurajonin tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe të flukseve jobankare. Modeli i rritjes së rajonit duhet të jetë më i sigurt në vetvete, duke e vënë theksin tek kursimet vendase, tek mobilizimi më i mirë i burimeve të punës dhe tek roli më i madh i sektorit të mallrave të tregtueshëm, si lokomotivë e rritjes.

***

Rajoni ynë është një kombinim interesant vendesh, gjuhësh, kompozimi gjeografik dhe kulturor. Të analizuara në veçanti, është e vështirë të mendosh se ekonomitë tona gjenerojnë stimuj të qenësishëm për investitorët e huaj, veçanërisht për ata strategjikë, teknologjikisht të përparuar dhe të aftë të shfrytëzojnë avantazhet e ekonomive të shkallës. Po kështu, mendoj se edhe kostot që do të shoqëronin projekte të ndryshme strategjike në rang kombëtar do të ishin më të larta për kurrizin e ekonomive tona ende të varfra.

Jam i bindur se ekzistojnë hapësira të mjaftueshme për te ofruar një treg te përbashkët rajonal dhe detyra jone e përbashkët është që t'i shfrytëzojmë ato në maksimum. Rajoni ka ende disa boshllëqe ne infrastrukture, ne energji, turizëm, arkitekturën financiare, në minierë dhe në bujqësi. Detyra jonë është të identifikojmë së bashku shanset e humbura, t'i përfshijmë ato bashkërisht në plane reale biznesi, dhe t'i sjellim këto projekte rajonale në mënyrë bashkëkohore tek investitorët privatë dhe tek agjencitë që kanë ndikim përtej kufirit, për të përfituar mbështetjen e tyre politike, financiare dhe teknologjike, si dhe për të siguruar përfundimisht një model të qëndrueshëm rritjeje.

Në rang kombëtar, ende nevojiten reforma të thella strukturore të ndërmarra në mënyrë të bashkërenduar në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Mendoj se strukturat e Bashkimit Evropian duhet ta orientojnë, mbikëqyrin dhe vlerësojnë këtë proces nga afër. Kjo është rruga e vetme për t'i kthyer vendet tona në ekonomi prodhuese me produktivitet të lartë, atraktive për të gjithë investitorët, e huaj në kushtet e ekzistencës të një kosto pune ende të leverdishme.

E gjithë kjo merr kuptim, në qoftë se ne do të ridimensionojmë plotësisht kapacitetet tona edukuese, sidomos në teknologjitë dhe në disiplinat e tjera ku evidentojmë avantazh krahasues kundrejt ekonomive të tjera.

Në vend që ta shohim njëri-tjetrin thjesht si konkurrues, ne duhet ta konsiderojmë bashkërendimin rajonal si një lojë pa fitimtarë, ku secili vend përfiton nga partneriteti.

Duke përmbledhur, ky proces kërkon politika zhvillimi dhe politika makroekonomike që shmangin rrezikun; gërshetim të bashkërenduar politikash; bashkëpunim më të fuqishëm me vendet e tjera; si dhe përpjekje të bashkërenduara - ndoshta të harmonizuara dhe të motivuara në rajon - për rritjen e cilësisë së reformave strukturore.

Reformat strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit do të ndihmojnë në rritjen e flukseve të reja hyrëse të kapitalit dhe do të çojnë drejt një rritje të fuqishme dhe të qëndrueshme.

Në këtë drejtim dhe në dritën e mësimeve të nxjerra nga kriza e kohëve të fundit, vendet mund të përdorin më mirë procedurat e mbikëqyrjes fiskale të zbatuara prej BE, si mekanizma të qarta angazhimi në politikat ekonomike.

Vendet kandidate dhe potencialisht kandidate nga njëra anë dhe Komisioni Evropian nga ana tjetër kanë mundësi ta transformojnë këtë proces mbikëqyrjeje (mundësisht të pasuruar me informacione e të dhëna analitike nga FMN) në një ankorë të jashtme eficiente.

(*) Fjala e mbajtur në konferencën "Ballkani Perëndimor: Kalimi i krizës - nga bashkëpunimi rajonal në integrimin evropian", Bruksel, 09 dhjetor 2009

KOMENTE