English

Policia angleze heton pse shqiptari qëndronte me armë te shtëpia e ish-kryeministrit Bler

Londër, 10 Dhjetor NOA - Një shtetas shqiptar i cili prej vitesh jeton si emigrant i rregullt në Britaninë e Madhe, është arrestuar nën dyshimet se qëndronte i armatosur pranë shtëpisë së ish-kryeministrit anglez Toni Bler (Tony Blair).

Korrespondentja e agjencisë NOA citon burime zyrtare të policisë në Londër që thonë se 56-vjeçari Kujtim Nurka, me vendqëndrim në Wembley, është arrestuar pranë shtëpisë së ish-kryeministrit Tony Blair.

Incidenti ndodhi të hënën në veriperëndim të Londrës, ku ndodhet godina e banimit të ish-kryeministrit në Connaught Street, në qendër të Londrës dhe vetëm sot u bë publik për mediat.

Bler e ka blerë këtë apartament që kushton 3.5 milionë paund, në vitin 2004, para se ai të largohej nga Downing Street.

I dyshuari Kujtim Nurka, u kap atje, me një pistoletë të mbushur, e cila ishte e pajisur dhe me një silenciator.

Nurka u arrestua menjëherë në kushtet e flagrancës dhe autoritete njoftuan datën 12 shkurt për daljen në gjyq të të dyshuarit në gjykatën penale të Southwark Crown.

Duke nxjerrë detaje mbi ngjarjen, televizioni SKyNews tha se fillimisht, policia e arrestoi Nurkën për mungesë të dokumenteve të qarkullimit rrugor.

Pas 25 minutash, një person iu afrua policisë dhe i dorëzoi një pistoletë të mbushur, që deklaroi se e gjeti armën të hedhur në anë të rrugës.

Policia menjëherë lidhi dy ngjarjet dhe zbuloi se pistoleta i përkiste personit që ishte arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit, 56-vjeçarit Kujtim Nurka

Policia pranoi se asnjë kërcenim nuk ka pasur për jetën e Blerit nga ky incident. Por policia ka dhënë alarmin dhe ka vënë në dijeni menjëherë trupin diplomatik që përgjigjet për sigurinë e ish-kryeministrit. e.l/NOAÂ

KOMENTE