English

Presidenti Sejdiu në KQZ për masat mbi raundin e dytë të zgjedhjeve

Prishtinë, 10 Dhjetor NOA - Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dje e vizitoi Presidenti i Republikës z. Fatmir Sejdiu, së bashku me ambasadorët e SHBA-ve, të Anglisë, Francës, Italisë dhe të OSBE-së.

Presidentin dhe ambasadorët e akredituar në Prishtinë, i informoi me punën që është duke u bërë sidomos lidhur me procesin zgjedhor, kryetarja e KQZ-së znj. Nesrin Lushta. Kryetarja Lushta, me këtë rast, tha se, ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe konsiderojmë që edhe me kohë jemi shumë mirë për arsye se psh. fletëvotimet kanë arritur dhe së shpejti do të distribuohen edhe nëpër Këshillat e Vendvotimeve.

"Sa u përket vëzhguesve, i kemi akredituar edhe 1300 vëzhgues shtesë, si trajnimin për KVV-të e reja. Ju e dini që i kemi ndryshuar disa këshilla të vendvotimeve andaj, këto janë përgatitjet më themelore që janë bërë dhe besojmë që pa vështirësi do të kalojmë në Raundin e Dytë", ka thënë znj. Lushta.

"Vendvotimet do të hapen edhe në veri të vendit. Nëse eventualisht votuesit nuk do të dalin për çka unë nuk dëshirojë të prejudikojë, ne prapë do t'i dërgojmë ekipet mobile. Në këto zgjedhje balotazhi është shumë më i thjeshtë sepse janë në pyetje vetëm dy kandidatë prandaj, presim që rezultatet do të dalin shumë më shpejte se në Raundin e Parë", ka thënë kryetarja Nesrin Lushta.

Lushta, falënderoi presidentin, institucionet e vendit, ambasadorët ndërkombëtarë për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe, gjithë procesit zgjedhorë.

Presidenti Fatmir Sejdiu, e inkurajoi KQZ-në për punën që është duke bërë.

"Unë mendoj që është një përgjegjësi e veçantë dhe e shtuar në vazhdimësi që Kosova dëshmoi qasjen e saj, suksesin e saj do ta dëshmojë edhe më 13 dhjetor aq më tepër kur vërtetë, kemi një bazament të mirë nga proceset e kaluara dhe kujtoj në të njëjtën kohë që këtë e themë si formulë. Zgjedhjet i bëjmë për veten tonë në radhë të parë por, edhe për t'u vrojtuar mirë se jemi kah punojmë mirë në kuptimin e arsyetimit dhe të falënderimit për mbështetjen e madhe që na jepet", ka thënë Sejdiu.Â

"Kujtoj që do t'ia dalim sa janë në balotazh në 23 komuna, dhe qytetarët e kanë për borxh që pavarësisht që mund të jetë një ditë pakë me mote të vështirë, ditën e diel të dalin prapë dhe të votojnë për njerëzit që ata duan t'i zgjedhin dhe t'ju japin shansin për punë të suksesshme në ecjen e mëtejshme në katërvjeqarin e mandatit të ardhshëm", apeloi z.Sejdiu.

Ai gjithashtu ka folur edhe për rolin e medieve. "Çmoj në veçanti rolin e mjeteve të informimit. E di se mund të ketë dikush ndonjë anim të një grupacioni politik a të një tjetri, që është krejt normale. Por, përgjithësisht, dëshiroj të them se ka qenë përcjellje e dinjitetshme, e zhvillimeve më të rëndësishme që ka kapërcyer populli i Kosovës në kohën e fushatës elektorale", tha Presidenti Sejdiu. Â

Në takim, folën edhe ambasadorët e SHBA-ve, z. Christophe Dell, ai i Mbretërisë së Bashkuar, z. Andy Sparks, ambasadori i Francës, z. Philippe Dupont, ambasadori i Italisë, z. Michael Giffoni dhe ambasadori i OSBE-së, z. Werner Almhofn.

Të gjithë ambasadorët, folën në mënyrë afirmative për procesin e gjertanishëm zgjedhor duke , i dhënë përkrahje të plotë punës së KQZ-së edhe në të ardhmen.

a.b/e.r/NOA

KOMENTE