Tiranë, 10 dhjetor, NOA - I shoqëruar nga një grup biznesmenësh si dhe dy ministra, ai i Shtetit dhe i Industrisë e Tregtisë Turke, mbërrin sot për një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl.
Qëllimi kryesor i vizitës së tij është ai i intensifikimit të diskutimeve mbi çështjet tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve tona, pa përjashtuar as diskutimi me krerët e lartë të shtetit shqiptar i çështjeve të nxehta të rajonit.
Axhenda e qëndrimit të rij dy ditor në Shqipëri parashikon një ceremoni mbërritje organizuar nga presidenti Topi për nder të homologut të tij në Pallatin e Brigadave, ku pas një takimi kokë më kokë, ata do të drejtojnë bisedimet bilaterale mes delegacioneve respektive.
Por në prani të dy presidentëve do të nënshkruhet edhe Protokolli i Bashkëpunimit mes Ministrive të Punëve të Jashtme reciproke.
Ndërsa të nesërmen, dy presidentët do të përshëndesin punimet e Forumit të Biznesit Shqiptaro-Turk që mbahet në Tiranë. Bëhet me dijeni sakaq se në kuadrin e vizitës së tij zyrtare në vendin tonë, presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl do të takohet edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrin Sali Berisha, si dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Por axhenda e Gyl përfshin dhe një vizitë në Kolegjin Turk "Mehemet Akif", si dhe pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e hapjes së Qendrës kulturore "Yunus Emre".
n.e/NOA