Obama është duke kërkuar një politikë postimperialiste, në mes të një krize imperialiste. Shtimi i kualifikuar- të dërgosh forca për të rikthyer momentin, për t'i reduktuar më pas sërish ato- është përgjigjja e tij për këtë dilemë. Është ky një kompromis i kuptueshëm dhe ai mund të funksionojë
Nga Fareed Zakaria Nëse nënvizoni vetëm një fjali të vetme, fjalimi i Barack Obamës për Afganistanin, i bërë javën e kaluar, kishte të bënte me përqendrimin dhe kufizimin e përmasave të misionit të SHBA-së në këtë vend.
Synimi i tij, tha ai, është i "definuar në mënyrë të kufizuar". Synimet që detajizoi ai ishin ekskluzivisht ushtarake- që Al Qaidës t'i mohohet një parajsë e sigurt, që të frenohen talebanët dhe që të forcohen forcat e sigurisë së qeverisë në Kabul.
Ai nuk tha pothuajse për synimet më të gjëra, siç janë përhapja e demokracisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut apo asistimi në edukimin e femrave. Shteti, për ndërtimin e të cilit është i interesuar, shpjegoi ai, është Amerika. Dhe më pas kishim edhe rreshtin tjetër: "Kam ardhur në përfundim se është në interesin tonë vital që të dërgojmë 30 mijë ushtarë në Afganistan". Këtu edhe shtrihen tendosjet në politikën e Barack Obamës. Ai dëshiron një politikë më të qartë dhe më diskriminuese të jashtme, një politikë e cila zbut angazhimin e madh dhe intervenimet pa fund të përcaktuar të epokës së Bushit, ndoshta një politikë, e cila është madje edhe më e disiplinuar se sa qasja e Bill Clintonit ndaj botës.
(Gjatë fushatës presidenciale, Obama në vazhdimësi ka nënvizuar se George Bushi i vjetër ka qenë presidenti, politikën e jashtme të të cilit e ka adhuruar më së shumti).
Por Amerika është në mes të një lufte, e cila nuk po rrjedh si duhet dhe zbehja e saj tani do t'i ngjasonte përuljes dhe arratisë. Obama është duke kërkuar një politikë postimperialiste, në mes të një krize imperiale. Shtimi i kualifikuar- të dërgosh forca për të rikthyer momentin, për t'i reduktuar më pas sërish ato- është përgjigjja e tij për këtë dilemë.
Është ky një kompromis i kuptueshëm dhe ai mund të funksionojë, por ai e shtyn për më vonë vendimin përfundimtar për Afganistanin, përderisa shtimi i forcave të mos jetë në gjendje të përmirësojë situatën në terren.
Afro 18 muaj që nga ky moment, Obama duhet të ofrojë përgjigje për çështjen thelbësore: a ja vlen që të vazhdojë prania amerikane në terren, në Afganistanin që është stabil dhe që funksionon mirë, apo mund të sigurohen shpenzimet amerikane me shpenzime shumë më të vogla? Viti i parë i presidencës së tij ka qenë një dritare për pikëpamjet e Barack Obamës për botën. Pjesa më e madhe e presidentëve nuk mund t'i rezistojnë joshjes për t'u bërë Winston Churchill.
Ata gravitojnë kah retorika e madhe për liri dhe tirani dhe përqafojnë dramën morale të tyre si udhëheqës të botës së lirë. Por jo edhe Obama. Ai ka qenë tejet i qetë dhe kalkulues, pa marrë parasysh se a është përballë me Rusinë, Iranin, Irakun apo Afganistanin.
Si orator i jashtëzakonshëm, në këtë fushë ai ka mbajtur nën kontroll elokuencën e tij. Obama është realist, si për nga temperamenti, nga edukimi dhe instinkti.
Më shumë se asnjë president tjetër që nga koha e Richard Nixonit, ai është përqendruar që të definojë me kujdes interesat e Amerikës, duke ofruar burimet për të realizuar ato dhe duke e mbajtur shikimin të përqendruar kah çmimi. Është e qartë se Obama po përpiqet të bëjë një gjë mjaft ambicioze- të riorientojë politikën e jashtme të Amerikës drejt diçkaje, që është më pak ekstravagante dhe më pak armiqësore.
Kjo fillon me tkurrjen e luftës kundër terrorizmit; që të zbutet konflikti me botën islame dhe që ai të përqendrohet kah grupet dhe shtetet, të cilat paraqesin kërcënim serioz; dhe hapja ndaj të tjerëve.
Ai gjithashtu ka tentuar të zhvillojë marrëdhënie më të mira të punës mes Amerikës dhe fuqive të tjera të mëdha, si Rusia dhe Kina, duke lënë anash çështjet më të vogla, me shpresë se do të bashkëpunojë për çështjet më të mëdha. E më pas, kemi edhe atë rreshtin tjetër. Mund të duket vështirë që politika më e shënjestruar dhe më e përqendruar a jashtme mund të vendoset në përputhje me vendimin për të zgjeruar luftën dhe për të dërguar 30 mijë ushtarë shtesë.
Por ky vendim nuk paraqet precedent. Kur Richard Nixon dhe Henry Kissinger hynë në vitin 1969 në Shtëpinë e Bardhë, ata trashëguan luftën në Vietnam, për të cilin me gjasë kanë menduar në një nivel teorik, por për të cilën e kuptuan se po e përgjakte vendin. Gjatë viteve të tyre në pushtet, ata u përqendruan që të forcojnë pushtetin e Amerikës nëpërmjet diplomacisë me Bashkimin Sovjetik, Kinën, Egjiptin dhe Izraelin.
Por ata gjithashtu kuptuan se duhet të përballen me krizën në Vietnam dhe theksuan se do të tentojnë të reduktojnë praninë amerikane atje.
 Në këtë fushë arritën sukses. Në prill të vitit 1969, pak kohë pasi që Nixoni mori përsipër Presidencën, në Vietnam ishin të stacionuar 543 mijë ushtarë amerikanë. Dhe në fund të mandatit të tij, atje kishin mbetur më pak se 20 mijë ushtarë.
Por në periudhën e ndërmjetme, me qëllim që armiku të mbahet në defensivë dhe për të krijuar hapësirë për largimin e ushtarëve amerikanë, Nixoni dhe Kissingeri dhanë urdhër për një seri të manovrimeve ofensive ushtarake, të cilat kishim për qëllim që të godasin rëndë vietnamezët e Veriut. Shtim, e më pas reduktim të forcave, mund të thuhet. Edhe përkundër faktit se vietkongët u mposhtën përkohësisht, Veriu në fund arriti të pushtojë Jugun në vitin 1975. Por ia vlen të diskutohet se pse ndodhi kjo. Së pari, aleatëve tanë lokalë iu mungonte legjitimiteti dhe kompetenca.
Ajo që është edhe më e rëndësishme, kryengritësit kishin përkrahjen aktive të superfuqisë tjetër, Bashkimit Sovjetik, e gjithashtu gëzuan ca përkrahje edhe nga Kina. Në fund, SHBA-ja ndërpreu asistencën për Vietnamin Jugor, duke braktisur vendin, për mbrojtjen e të cilit kishte humbur 59 mijë ushtarë. Pamja sot është më premtuese në të tri frontet. Në Afganistan, përkundër të gjitha problemeve, qeveria e Karzait është zgjedhur dhe ka përkrahjen e një pjese të konsiderueshme të popullatës. Ajo që është gjithashtu e rëndësishme, talebanët nuk janë aspak të popullarizuar.
Sa u përket qendrave të sigurta, është e vërtetë se Pakistani është ndoshta sfida qendrore në përpjekjet për të mposhtur talebanët dhe Al Qaidën. Por SHBA-ja tani me sukses më të madh po sulmon këto qendra, duke shfrytëzuar fluturake pa pilot, ndërsa ushtria e Pakistanit ka filluar të kuptuar se duhet të fillojë të ndërmarrë aksion kundër militantëve, të cilët i ka përkrahur për një kohë të gjatë. SHBA-ja në vitin 1975 përjetoi tërheqjen më të turpshme që mund të imagjinohej nga Vietnami Jugor. Por pas vetëm një dekade, Amerika sërish siguroi pozicion komandues në arenën ndërkombëtare, ndërsa pas 15 viteve, armiku i saj kryesor, Bashkimi Sovjetik, u shemb.
Elementi kryesor i kësaj ringjalljeje nuk ishte ajo që ndodhi jashtë- ishte aftësia e SHBA-së për të ringjallur fuqinë e vet ekonomike në shtëpi, motorin e statusit të superfuqisë. Obama duhet të përqendrojë vëmendjen e tij në korrikun e vitit 2011. Le të bëjmë një parashikim të guximshëm. Afganistani nuk do të transformohet deri në atë datë. Ky vend nuk do të duket si Franca, me një qeveri të fuqishme dhe efektive qendrore.
Situata do të jetë jostabile. Por ky megjithatë duhet të jetë momenti për të filluar transicionin kah pushteti afgan. Deri në fund të vitit 2011, SHBA-ja do të ketë shpenzuar 10 vjet, me mijëra jetë, për të krijuar qeveri stabile dhe demokratike në Afganistan dhe Irak, dy vendet më të vështira dhe më të ndara në botë. Do të jetë koha për të lëvizur më tutje.Â