Tiranë, 10 dhjetor, NOA - Megjithë arritjet e bëra në këto vite tranzicioni, Shqipëria paraqet ende nevojën e pavarësisë së institucioneve, mediave të pavarura dhe ndalimit të ndërhyrjeve politike në sistemin gjyqësor.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni ambasadori amerikan John Uithers, gjatë një fjalimi me rastin e 10-vjetorit të institucionit të Avokatit të Popullit.
"Asnjë institucion politik nuk duhet të ndërhyjë në funksionet e gjyqësorit. Askush, absolutisht askush, nuk mund të qëndrojë mbi ligjin", u shpreh ai.
Ndërsa lidhur me pavarësinë e medias ai tha se ajo mbetet një tjetër çështje e
rëndësishme, pasi në një shoqëri demokratike media mbron interesin e publikut.
"Por nëse media kthehet në një vegël politike, ajo humbet pavarësinë e saj, dhe interesi i publikut nuk mbrohet", vijoi ai në vazhdën e këtij koncepti.
Duke folur direkt për 10 vitet e punës së institucionit të Avokatit të Popullit, Uithers theksoi se ai për shkak të pavarësisë mund të hetojë drejt dhe të mbrojë ata që janë të pafuqishëm, pra qytetarët.
n.e/NOA