English

Aktivitetet, Kosova e shpalli vitin 2010 si "Viti i Nënë Terezës"

Prishtinë, 11 dhjetor, NOA - Viti i ardhshëm është dekretuar nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu si "Viti i Nënë Terezës".

"Duke i pasur parasysh të gjitha virtytet dhe cilësitë e rralla njerëzore e kombëtare të Nënës Terezë dhe veprën e saj të madhe jetësore, pas konsultave edhe me Ministrinë e Kulturës, me përfaqësuesit e klerit dhe me përfaqësues të shquar të komunitetit tonë kulturor, kam marrë vendim që të shpall vitin 2010, vitin që shënon njëqindvjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, "Vit të Nënës Terezë", deklaroi ai lidhur me një fakt të tillë.

Duke shtuar se me këtë masë ai jep në të njëjtën kohë edhe të gjithë patronazhin e tij për veprimtaritë që Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore do të organizojnë për ta nderuar e për ta lartësuar emrin e ndritur të Nënës Terezë në Kosovë.

Më 28 tetor 1996, presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova e shpalli Nënën Terezë "Qytetare e Nderit e Republikës së Kosovës", ndërsa në të njëjtin vit, presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Sali Berisha e nderoi atë me "Urdhrin e Artë të Popullit Shqiptar".

"Nëna Terezë botërisht u shpall "Personalitet i Shekullit XX". Shpallja e vitit 2010 "Vit i Nënës Terezë" është një mirënjohje jona e vogël për këtë bijë të madhe të botës shqiptare dhe të gjithë njerëzimit", e përfundoi fjalën e tij presidenti kosovar.

n.e/NOA

KOMENTE