Tiranë, 11 dhjetor NOA - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha së bashku me Ambasadorin e KE-së, Helmut Lohan vëzhguan sot nga afër sesionet e trajnimit të policëve të qarkullimit rrugor nga oficerë të policisë austriake dhe sllovene, në kryqëzimin rrugor pranë Shkollës Teknologjike në Tiranë.
Në këtë trajnim që mundësohet nga misioni PAMECA III i BE janë përfshirë rreth 150 efektiva të policisë rrugore nga i gjithë vendi.Trajnimi synon të përmirësojë formimin profesional të punonjësve të policisë së qarkullimit rrugor me praktikat dhe standardet evropiane përsa i përket sigurisë individuale gjatë kontrollit të makinave dhe përzgjedhjes së vendeve të duhura për kontrolle, menaxhimin e përshtatshëm të kryqëzimeve, ndarjen e detyrave etj.
Objektiv i trajnimit është përmirësimi i trafikut brenda qendrave urbane, si dhe parandalimi dhe ulja e numrit të aksidenteve në rrugë.
Ministri Basha theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Transporteve dhe institucioneve të pushtetit vendor për çështjet e përmirësimit të cilësisë së qarkullimit rrugor.
"Qeveria është zotuar të ketë një reduktim të aksidenteve vit pas viti për të arritur në një shifër sa më të vogël gjatë këtij mandati katërvjeçar. Kjo duhet të shihet si prioritet nga të gjithë aktorët, duke përfshirë edhe institucionet e pushtetit vendor, si institucione përgjegjëse për pajisjen dhe funksionimin me sinjalistikën e nevojshme, duke filluar nga semaforët, tabelat qarkulluese pranë qendrave urbane etj'-u shpreh Ministri Basha.
k.k/NOA