English

Debati pervers

Hajrli koftë, ndoshta botës do t'ia shpëtojmë fytyrën këtu në Kosovë. Ndoshta do të futemi në analet botërore si gardianët më fisnikë të përcaktimit të vijave të reja, ose të vjetra, në mes të së majtës dhe të së djathtës

Nga Berat Buzhala*

Superkokat e politikës kosovare këto ditë po djersiten për të argumentuar disa tema elegante ideologjike, se kush është i majtë dhe kush është i djathtë në ketë truall. Sfidë serioze kjo aktualisht edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti aktual i Superfuqisë Botërore, Barack Obama, prej momentit kur po angazhohet që ta sistemojë njëherë e mirë, për të gjithë amerikanët, problemin e sigurimeve shëndetësore, nga krahu konservativ po akuzohet si socialist. Kriza më e re financiare në botë, si kurrë më parë, i ka dridhur themelet e ndarjeve deri diku strikte në mes të dy blloqeve ideologjikisht armiqësore. Për t'i tejkaluar problemet praktike në ekonomi, qeveritë e vendeve të ndryshme, tash e disa muaj, po u qasen këtyre problemeve po në mënyrë praktike, duke i shfuqizuar së paku përkohësisht librat-ligje të baballarëve të ekonomisë. Mirëpo, hajrli koftë, ndoshta botës do t'ia shpëtojmë fytyrën këtu në Kosovë. Ndoshta do të futemi në analet botërore si gardianët më fisnikë të përcaktimit të vijave të reja, ose të vjetra, në mes të së majtës dhe të së djathtës. Ndoshta Kosova do të jetë ajo "Varka e Noas", ku pas një përmbytje të madhe, bota vjen e merr nasihat këtu dhe e mbjell nga e para farën e të djathtës dhe të së majtës në vendet e tyre, "Made in Kosova". Mirëpo, këmbët fillojnë të na prekin në tokë, kur e shohim se ku ka zënë vend ky debat kaq pervers. Ne jemi një shoqëri që jetojmë në një territor, banorët e të cilit kanë qenë statistët më shembullorë, kur shoqëritë dhe popujt tjerë kanë debatuar e besa edhe kanë luftuar për mbrojtjen e një ideologjie a të një sistemi. Ne kemi qenë në gjumë, kur të tjerët i kanë shpikur këto modele. E tash u bëmë ne që të diskualifikohemi ose të kualifikohemi me njëri-tjetrin si të djathtë ose si të majtë. Ne qe ende vajtojmë se sa mirë ka qenë i rregulluar në ish Jugosllavi sistemi shëndetësor. Gjëra të shpifura, të stisura dhe pa asnjë vlerë. Si mund të jetë i djathtë një ish udhëheqës komunist, që për disa dekada i ka shërbyer me zell sistemit njëpartiak dhe për ketë sistem kurrë një fjalë të keqe nuk e ka thënë, derisa u shemb në Moskë. Ose, një profesor që për dekada të tëra, me plot pasion u ka ligjëruar studentëve se modeli i ekonomisë së centralizuar është i vetmi që e çon vendin përpara. Të tillët, nëse një ditë në tokë zbarkojnë marsianët, do t'u thonë se rastësisht janë këtu, përndryshe janë të një planeti tjetër. Të tillët, pra, e kanë vetëm një ideologji: pushtetin. Këta mashtrues, jo që nuk janë të djathtë, por, sipas koncepteve perëndimore, nuk e kalojnë testin për t'u kualifikuar as si të majtë. Si mund të jetë i djathtë dikush, vetëm pse po përfillka traditën e popullit shqiptar (cilën traditë?)? Apo, vetëm pse qenka nacionalist a patriot? Me gjysmë zëri dhe me gjysmë zemre, këta tipa mund të jenë konservatorë, por të qenit konservativ nuk t'i jep pikët e nevojshme për t'u bërë i djathtë. Ku është debati për ekonominë në ketë mes? Kush është këtu për ekonomi të lirë, e kush është për ekonomi fer? Kush e mbron tregun prej monopoleve jolojale? Cili prej udhëheqësve të partive politike kërkon që shteti të përzihet në ekonomi, e kush kërkon që ekonomisë t'i hapet rruga për të rrjedhur ashtu si do vetë? Kush i përkrah punëtorët këtu, e kush udhëheqësit e punëtorëve? S'e di a e keni vërejtur se si do shylybyla të paedukuar e të painformuar, kur flasin për përcaktimin e tyre djathtist, e përmendin besimin në Zot. Demek, ata që kanë bindje majtiste, janë të pafe. Të tillët, Zoti i vraftë. Po a nuk është në krye të Qeverisë spanjolle një majtist, Jose Luis Rodrigues Zapatero. A nuk hyjnë spanjollët në mesin e popujve më religjiozë në botë? Po në Greqi, Kryeministri majtist George Papandreou, a nuk u betua me dorën mbi Bibël, më 7 tetor, kur e mori detyrën? Nëse ky debat për të majtën dhe të djathtën është duke u zhvilluar sa për ta mbushur hapësirën elektorale, atëherë në rregull. E nëse jo, atëherë edhe disa pyetje tjera parimore. Si është e mundur, që duke pasur këso qëndrimesh rigjide në nivel qendror, se kush më kë bën koalicion, e kush më kë nuk bën koalicion, në nivele lokale të kishim shkarje kaq të mëdha. Si ishte e mundur, pra, që një djathtist në Suharekë ta lërë në lloç një djathtist, duke flirtuar me të tjerët. Apo, në Obiliq, një Kryetar Dege ta tradhtojë vëllain e tij ideologjik, duke bashkëpunuar me një djalë të tezes, të hallës, ose kushëri. Po në Mitrovicë? Si ndodhi që Lutfi Haziri nga qendra vrapoi për t'ia bërë një argat Nexhmedin Spahiut, partinë e të cilit deri para pak ditësh e quante jo vetëm ideologjikisht të papërshtatshme, por edhe të dyshimtë në aspektin patriotik. Çka të komentojmë më tepër?Â

(*) Kryeredaktor, gazeta "Express"

KOMENTE