Tiranë, 11 dhjetor, NOA - Qendra e Studimeve Parlamentare ka përmbyllur fazën e dytë të një monitorimi mbi transparencën e financimeve jopublike të partive politike gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Ai ka arritur në disa konkluzione paraprake të rëndësishme siç është ai i përfitimit të shumë parave nga partitë politike jashtë periudhës elektorale, aspekt ky i cili nuk është subjekt i rregullimit ligjor në Ligjin për Partitë Politike.
Ndërkaq, raporti pohon edhe faktin sesi në bilancet e dorëzuara prej partive, mungojnë të ardhurat e mbledhura nga degët, pasi ato destinohen për veprimtaritë lokale në periudhën jashtë zgjedhore, e cila nuk mbikqyret nga ligji për transparencën, në përputhje me kodin zgjedhor.
"Në shumë veprimtari elektorale këto para' shndërrohen në shërbime, pa u kontabilizuar dot si të ardhura elektorale apo financime të sponsorizuara", citon raporti në fjalë.
"Një ndihmë të veçantë jep edhe mosdeklarimi i shpenzimeve nga partitë në përputhje me një bilanc të detajuar, i cili duhet të shpjegojë me zëra adresimet e kryera përmes sponsorizimeve apo financimeve të tjera nga jashtë", vijon më tej ai duke pohuar se një audit i detajuar dhe i çertifikuar, për çdo vit elektoral ose jo, do të ndihmonte në ruajtjen e barazisë dhe rritjen e kredibilitetit, i cili në periudhën zgjedhore shndërrohet në besueshmëri për rezultatin zgjedhor.
Ndërkaa, raporti vë në dukje edhe faktin se shumë financime të padukshme janë më të prirura që të vijnë nga subjekte tregtare private që vetë ligji, përmes klauzolës së konfliktit të interesit i pengon të përfshihen në donacione direkte në favor të subjekteve politike.
"Kjo klauzolë shtyn drejt veprimeve klandestine palët e interesuara që të ndërveprojnë në periudha elektorale dhe që mund të shkëmbejnë favore jo legjitime pas përmbylljes me sukses të procesit të sponsorizuar zgjedhor", përfundon ai.
n.e/NOA