English

Frika nga rrëzimi i pallateve, Berisha ngre "Forcë të ndërhyrjes së shpejtë"

Tiranë, 11 Dhjetor NOA - Këshilli i Ministrave miratoi sonte vendimin për disa shtesa në ligjin "Për inspektimin e ndërtimit", ku i jepen kompetenca të plota për ndërhyrjen me emergjencë, Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, duke krijuar në këtë mënyrë një forcë të ndërhyrjes së shpejtë pranë inspektoratit. Kryeministri u shpreh se kjo bëhet para së gjithash dhe mbi të gjitha për të mbrojtur jetën e qytetarëve shqiptarë.

"Ajo që ndodhi në pallatin e Gjirokastrës, për shkak të papërgjegjësisë të autoriteteve vendore apo të tjera, mund të përsëritet në këtë vend periodikisht. Ndërtimi mbi rrugë dhe mbi oborre shkollash mund të përsëritet për shkak të babëzisë etj", - kujtoi Berisha.

Duke theksuar se kjo situatë nuk mund të tolerohet më tej, kryeministri bëri të ditur se qeveria do të autorizojë inspektoratin për ndërhyrjet më të fuqishme , më energjike. "Lëkundet pallati me 9 kate mbi leje. E sheh Bashkia dhe në vend që të marrë masa për ta prishur dhe për të garantuar jetën thotë është dhe një pallat tjetër diku tjetër. Unë nuk them se nuk është, por në mënyrë absolute ndërtim që të kërcënojë këta qytetarë në mënyrën më evidente nuk do të lejohet, por do të rrafshohet. Këtu nuk do të ketë më asnjë tolerim. Ndaj dhe ky ligj është bërë i domosdoshëm".

Kryeministri bëri të ditur se janë të shumtë qytetarët shqiptarë të cilët të inkurajuar nga kjo përpjekje e qeverisë kërkojnë me çdo kusht të veprohet, pasi është cënuar seriozisht siguria e tyre.

Duke lexuar mesazhin e një qytetari, të cilit i cenohej siguria e jetës, Kryeministri u shpreh se inspektorati qendror do të ndërhyjë energjikisht, në të gjitha rastet kur shkelen kondicionet urbanistike, dhe kur kërcënohet siguria publike.

"Nuk jam që ne t'i heqim kompetencat inspektoratit lokal, por jam që çështjet e sigurisë publike janë dhe do të jenë përparësi absolute e qeverisë. Ndaj dhe nuk mundet në asnjë mënyrë që të luhet më tutje, nuk mundet në mënyrë kategorike që të ndërtohen pallate mbi rrugë. Nuk është vetëm një. Ju garantoj se janë të tjera. Më kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët. Ata janë të inkurajuar nga kjo përpjekje e jona dhe kërkojnë me çdo kusht të veprohet, sepse përndryshe nuk kemi asgjë të sigurt".

Qeveria bëri të ditur se ky ligj do të kalojë me përparësi në Parlament, në mënyrë që inspektorati qendror të ndërhyjë në të gjitha rastet kur shkelen kondicionet urbanistike, dhe kërcënohet siguria publike.

e.l/NOA

KOMENTE