Tiranë, 11 dhjetor NOA - Bashkia e Tiranës ka dorëzuar sot pesë kallëzime penale ndaj kryeministrit Berisha, deputetit Aldo Bumçi si dhe ndaj dy zyrtarëve të lartë të Policisë së Tiranës, e kryeinspektorit të Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar.
"Në lidhje me baltën publike që politika qeveritare po hedh mbi Bashkinë e Tiranës, ne paralelisht me shpjegimet publike, po ndjekim dhe rrugën ligjore për dënimin penal të personave përgjegjës si dhe dëmshpërblimin e Bashkisë për imazhin e dëmtuar, duke siguruar fonde që baltën e politikës ta kthejë, në shërbime për komunitetin" tha sot zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Belinda Balluku.Sipas saj janë dorëzua pesë kallëzime, për fillimin e çështjeve penale ndaj Kryeministrit të Republikës, Sali Berisha, funksionarëve të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj, Drejtorit për Sigurinë Publike në Qarkun Tiranë, Gjergji Jorgo dhe Kryeinspetorit të Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar, Hekuran Hoxhalli si dhe dy padi civile ndaj Kryeministrit dhe Partisë Demokratike.
Bashkia e Tiranës është duke përgatitur në vazhdimësi padi të tjera, kundrejt të gjithë atyre që kanë shpërdoruar detyrën apo konsumuar veprën penale të shpifjes.
Mësohet se Bashkia e Tiranës akuzoi kryeministrin Berisha për kryerjen e veprës penale të shpifjes së qëllimshme ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj për shkak të kryerjes së veprimtarisë shtetërore, në lidhje me shitjen e tokës tek "Tajvani" si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit "në kundërshtim me ligjin".
Për të njëjtën akuzë, kallëzohet edhe funksionarit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi.
Kryeinspektori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Hekuran Hoxhalli akuzohet nga Bashkia e Tiranës për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, në lidhje me vendimin për prishjen e objektit 12 kat datë 07.12.2009.
Ndërsa Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj si dhe Zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, Gjergji Jorgo akuzohen për kryerjen e veprës penale të ushtrimit të dhunës dhe shpërdorimit të detyrës, në lidhje me tubimin e datës 5 dhjetor 2009.
k.k/NOA