English

Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Turqisë, Gyl

Tiranë, 11 dhjetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me Presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl.

Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e Presidentit Gyl si një vizitë shumë të rëndësishme, e cila rikonfirmoi edhe njëherë marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, qeverive dhe popujve, por edhe do të japë një kontribut të madh përpara në këto marrëdhënie.

Gjithashtu, Kryeministri tha se kjo vizitë është edhe një ngjarje e shënuar për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit të ngushtë e të suksesshëm, në të gjitha fushat midis dy vendeve.

Presidenti Gyl e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu kënaqësinë e veçantë për mikpritjen e ngrohtë e miqësore që iu rezervua gjatë kësaj vizite në Shqipëri.

"Jam shumë i lumtur që ndodhem sot në Shqipëri dhe ndihem si në shtëpinë time", iu drejtua Presidenti Gyl, Kryeministrit Berisha.

"Turqia do të vijojë të jetë një aleate e ngushtë e Shqipërisë, në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të mbështesë atë, si në përpjekjet e saj për integrim në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në të gjitha përpjekjet për zhvillim e progres në fusha të tjera", siguroi Presidenti turk Gyl.

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për vendosmërinë e të dy vendeve për t'i zgjeruar dhe thelluar ato më tej në të gjitha fushat, në veçanti për sa i përket shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe zgjerimit të mëtejshëm të investimeve turke në Shqipëri.

Në takim u vlerësua efekti pozitiv që ka sjellë zbatimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes dy vendeve.

k.k/NOA

KOMENTE