English

Prifti fton biznesin turk të investojë në Shqipëri

Tiranë, 12 Dhjetor NOA - Në vazhdën e aktiviteteve për mbështetjen dhe nxitjen e biznesit me qëllim rritjen e investimeve, u zhvillua sot forumi i Biznesit shqiptaro-turk në praninë e krerëve të dy shteteve atij shqiptar dhe turk dhe disa dhjetëra sipërmarrësish nga të dyja vendet. Pasi paraqiti një tablo të zhvillimit ekonomik të vendit, ministri i Ekonomisë Dritan Prifti vlerësoi se, investimet turke në Shqipëri janë shumëfishuar për një kohë të shkurtër, ndërsa bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik ka njohur rritje të ndjeshme. Nëse pesë vjet më parë investimet turke ishin rreth 45 milion dollarë, sot ato llogariten në rreth 1 miliard dollarë, ndërsa vëllimi tregtar Shqipëri-Turqi kap shifrën e 350 milionë dollarëve, theksoi ai.

Në të njëjtën kohë që vendet e zhvilluara po përjetojnë ndjeshëm efektet e krizës ekonomike botërore, Shqipëria është kthyer në një vend tepër tërheqës për investitorët e huaj sidomos në sektorin e energjisë, minierave, hidrokarbureve, ndërtimit, turizmit etj., bazuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe në burimet e shumta natyrore që zotëron.

Aktualisht në vendin tonë operojnë kompani të mëdha dhe tepër serioze turke në fusha të tilla si telekomunikacioni, sistemi bankar, minierat etj.

Vlen për t'u falënderuar edhe kontributi i partnerëve turq të biznesit në fushën e arsimit, përmendi Ministri Prifti.

Në këtë drejtim, Shqipëria dhe Turqia, dy vende ballkanike të kategorizuara si vende dashamirëse dhe mikpritëse të njëra tjetrës, do të zgjerojnë akoma më tej bashkëpunimin dypalësh, tha z. Prifti.

Në praninë e krerëve të dy shteteve atij shqiptar dhe turk z. Prifti teksa theksoi frymën e mirë të bashkëpunimit te deritanishëm në sferën tregtare mes dy vendeve, ftoi biznesmenët turq që të vijojnë me investimet e tyre në Shqipëri.

Ai u garantoi atyre mbështetje maksimale për sa i përket uljes së barrierave administrative, duke ofruar edhe një klimë biznesi tepër në avantazh në krahasim me vende të tjera të rajonit.

e.l/NOA

KOMENTE