English

Qeveria merr nën administrim territorin e Parkut Rinia, në Tiranë

Kryeministri tha se do të ndërhyhet me vendosmëri absolute për çdo metër katror tokë publike të marrë në mënyrë të paligjshme

Tiranë, 11 Dhjetor NOA - Qeveria miratoi para disa minutash vendimin për kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të sipërfaqes së truallit të Parkut Rinia, në Tiranë. Duke folur për këtë vendim, Kryeministri u shpreh se ai shfuqizon vendimin me të cilin është përvetësuar toka publike, në zemër të Tiranës, jashtë çdo lloj kompetence të Këshillit Bashkiak.

"1350 metër katrorë tokë janë përvetësuar me një çmim qesharak në një kohë kur toka nuk ka qenë private, në një kohë kur toka nuk ka qenë pronë e Bashkisë së Tiranës, por tokë publike, pronë e shtetit, për të cilin përgjegjëse direkte është qeveria qendrore", - deklaroi shefi i qeverisë.

Ai shtoi se në regjistrimin e pronave që është bërë në vitin 2006 Agjencia e Trajtimit të pronave përcakton se kjo është një tokë publike, jo në autoritetin e Bashkisë së Tiranës. Sidoqoftë toka i kalon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Duke siguruar qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror tokë publike të marrë në mënyrë të paligjshme, Kryeministri kërkoi nga ekspertët anulimin e vendimit të paligjshëm.

"Unë garantoj qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror publike të marrë në mënyrë të paligjshme nga cilido qoftë, pavarësisht nga asnjë lloj përkatësie apo orientimi. Toka publike është tokë publike. Ka një ligj që përcakton. Kurse në rastin konkret është marrë kompetenca e qeverisjes qendrore, ç'ka s'mund të ndodhë kurrë përveçse babëzia ka bërë atë që bënë", - përfundoi kryetari i qeverisë.

e.r/NOA

KOMENTE