Tiranë, 11 dhjetor, NOA - Principi bazë i demokracisë është ai që sapo zgjedhjet në një vend përfundojnë dhe në momentin që Komisioni Qendror Zgjedhor shpall rezultatin e tyre, ai duhet të pranohet.
Një fakt të tillë e ka deklaruar gjatë një konference për shtyp në Tiranë sekretari francez i Shtetit për Evropën, Pierre Lellouche në prani dhe të kryeministrit Sali Berisha.
"Ai që fiton merr pushtetin, ai që humbet kalon në opozitë. Pranimi i kësaj aksiome është vërtet baza e demokracisë, është një rregull absolut", e vijoi më tej ai këtë koncept duke iu përgjigjur gazetarëve shqiptarë lidhur me krizën politike në vend.
"Nëse nuk pranohet ndërrimi i pushteteve, nuk kemi të bëjmë me demokraci. Por edhe nëse ndodh kështu, duhet dialog mes palëve për të gjetur rrugën e duhur. Ajo që mund të bëjmë ne është vetëm një apel për dialog", e përfundoi ai këtë koncept.
Më tej, ka theksuar pritshmërinë se një ditë Shqipëria do të jetë me siguri anëtare e Bashkimit Evropian dhe Franca e mbështet plotësisht këtë.
"Ne kemi punuar që kandidatura juaj t'i kalojë sa më parë Komisionit Evropian. Mbështesim fort rolin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit për paqen dhe stabilitetin e tij, ku vendi juaj ka patur një forcë modeluese. Nuk është e lehtë që të përfundojë procesi i stabilizimit në rajonin e Ballkanit, por perspektiva e tij evropiane është thelbësore dhe duhet ecur për këtë", tha ndër të tjera sekretari francez i Shtetit për Evropën, Pierre Lellouche.
n.e/NOA