English

Të drejtat e njeriut, Lohan: Respektimi, kusht për marrjen e statusit në BE

Tiranë, 11 dhjetor NOA - Situata e nderë politike ka shqetësuar shoqërinë civile në Shqipëri e cila gjykon se ajo mund të sjellë përkeqësim të respektimit të të drejtave të njeriut sidomos grupeve më vulnerabël të shoqërisë.

Në këtë linjë debati të zhvilluar për herë të dytë në vendin tonë, ka qenë dhe kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.

Duke iu referuar progres raportit të BE për Shqipërinë, ai theksoi se pa respektimin e kritereve politike ku përfshihet dhe lufta ndaj diskriminimit nuk mund të ketë integrim të vendit në BE.

"Përsa i takon Shqipërisë dhe aplikimit që ajo po kryen për t'u anëtarësuar në BE, Komisioni Evropian, po përgatit një opinion mbi aplikimin ku do ti kushtohet një vëmendje e veçantë të drejtave të njeriut .

Kriteret politike, të drejtat e njeriut si pjesë e këtyre kritereve janë thellësisht të rëndësishme për vendimin që do të merret për statusin e kandidatit nga KE në muajt e ardhshëm ndaj këto duhen marrë parasysh nga qeveria", u shpreh Lohan.

Zv/ministrja e Jashtme Edit Harxhi në emër të qeverisë pranoi disa nga problemet e shkeljes së të drejtave të njeriut siç janë gratë e fëmijët, apo komuniteti rom për të cilin progres raporti paraqiti kritika të veçanta për Shqipërinë.

Debati i dytë mbi të drejtat e njeriut u zhvillua në kuadër të 61 vjetorit të aprovimit të deklaratës universale të të drejtave të njeriut të OKB. Debati u organizua me iniciativën e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të fëmijëve në Shqipëri me mbështetjen e ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë.

b.m/NOA

KOMENTE