Tiranë, 11 dhjetor NOA - Shqipëria dhe Turqia janë më shumë se dy partnerë strategjikë." Këtë vlerësim ndanë sot në takimin mes tyre Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidenti i Turqisë Abdullah Gyl.
Duke rikonfirmuar vullnetin politik të Shqipërisë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Turqinë si një aleate afatgjatë e Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen gjatë gjithë rrugës deri në anëtarësimin e plotë në NATO.
Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria dhe shqiptarët kanë gjetur gjithmonë tek shteti, qeveria dhe populli turk një mik të madh në rrugën e demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit.
Ajo shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë reflektuar më mënyrë perfekte në bashkëpunimin parlamentar përmes shkëmbimeve frekuente të vizitave.
Presidenti Gyl, duke përgëzuar për vendimin e 16 nëntorit për pranimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, tha se Turqia e ka përshëndetur këtë vendim dhe beson se së shpejti BE-ja do të marrë edhe vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
"Ne, tha ai, i ndjekim me vëmendje zhvillimet në vendin tuaj mik, dhe me kënaqësi vëmë re progresin tuaj. Pluralizmi dhe demokracia ka ligjet dhe rregullat e veta dhe këto ligje duhet të pranohen dhe zbatohen", theksoi Presidenti Gyl.
k.k/NOA