Prishtinë, 12 dhjetor, NOA - Kosova gjendet sot në heshtje të plotë zgjedhore, ndërsa nesër do t'u drejtohet sërish kutive të votimit për raundin e dytë të procesit zgjedhor, ku do zgjidhen kryetarët në 21 komuna. Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë bërë me dijeni se fushata parazgjedhore gjatë balotazhit ka kaluar qetë dhe pa incidente, kurse nesër do të angazhohen rreth 4 mijë policë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
"Angazhimi policor do të jetë në kapacitete të plota, mirëpo, veçanërisht, sa u përket detyrave policore për balotazh, do të kemi të angazhuar diku rreth 4 mijë zyrtarë policorë", - kanë komunikuar ato. Nga ana tjetër, edhe në këtë proces zgjedhor do të jenë të pranishëm vëzhguesit, të cilët janë ftuar që ta ndjekin edhe këtë herë atë.
Në raundin e parë, kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetarë fituan në Drenas, Skenderaj, Ferizaj, Shtime dhe Zubin Potok. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi në Gjakovë, Deçan, Leposaviç dhe Zveçan, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë. n.e/NOA