English

Grabitet me dhunë një taksist në Tiranë zbulohet klienti i rremë

Tiranë, 12 Dhjetor NOA - Një taksist mbeti viktimë grabitjeje në Tiranë, pasi u plaçkit përmes dhunës nga një klient i shtirur i cili arriti të zhduket me makinën e vjedhur deri në Durrës ku edhe policia bëri të mundur zbulimin dhe kapjen e tij. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, i thanë sot agjencisë NOA se nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5 u bë arrestimi i 21-vjeçarit Vladimir Xhemal Peposhi, lindur në Kukës dhe banues në Domje 1, pranë kryeqytetit.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 02.30, në rrugën "e Durrësit" në Tiranë.

I riu kukësian Peposhi, ka shkuar në rrugën "e Durrësit". Atje ka kërkuar për një taksi dhe pasi ka rënë në ujdi me një taksist, ka hipur dhe nisën rrugën, siç porositi, me destinacionin për të shkuar në fshatin Domje 1, dhe pasi ka mbërritur i ka vjedhur mjetin me dhunë, shoferit taksi e më pas është larguar me shpejtësi.

"Nga puna hetimore e kryer nga specialistë të hetimit të krimit pranë këtij komisariati, u mundësua kapja e të dyshuari Peposhi, së bashku me mjetin tip taksi të vjedhur, në afërsi të stacionit të trenit në qytetin e Durrësit", - i tha agjencisë NOA, zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini.

Zyrtarja e shtypit sqaroi se pasi u kryen veprimet procedurale, materialet do t'i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të "vjedhje me dhunë".

e.l/NOA

Â

KOMENTE