Teheran, 12 dhjetor, NOA - Irani i ka vlerësuar si "të padrejta dhe politike" sanksionet e të cilat po e kërcënojnë Kombet e Bashkuara nëse ai nuk respekton rregullat e tyre për programin bërthamor.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Iraniane, Ramin Mehmanparast, i cili ndër të tjera ka vlerësuar gjithashtu se sanksionet në fjalë do të ishin "jashtë çfarëdo kornize juridike ndërkombëtare të njohur" nëse do të ndërmerreshin.
Nëse Irani nuk bie dakord për reduktimin e programit të tij bërthamor me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore brenda këtij viti, atëherë ndaj tij duhet të zbatohen sanksione të fuqishme në fillim të vitit të ardhshëm.
Ky ka qenë reagimi i autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët janë shprehur se koha e ultimatumit të vendosur ndaj Iranit është duke mbaruar.
Sipas tyre, në rast se nuk arrihet një marrëveshje për programin bërthamor, atëherë Republika Islamike do të përballet me sanksione të ashpra vitin e ardhshëm.
"Irani në mënyrë të përsëritur është duke shkelur rregullat ndërkombëtare, si me programin bërthamor, ashtu edhe me tregtinë e armëve me Sirinë, e cila ndodhet nën embargo ndërkombëtare armësh", ka thënë ambasadorja amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Susan Rice.
n.e/NOA