Tiranë, 12 Dhjetor NOA - Grupi i këshilltarëve në Këshillin e Bashkisë Tiranë, iu drejtua sot kryebashkiakut Edi Rama duke i thënë se "që në datën 8 dhjetor, ke vendosur dezhurn tek pallati yt dhe i Dash Pezës". Ferdinand Poni, e ashpërsoi gjuhën ndaj Ramës kur tha se "kreu pa brekë i PS i ka depersonalizuar deputetët e PS të bëjnë dezhurn 24 orë me ndërresa 6 orëshe". Poni tha se opinioni publik është njohur me fakte të pakundërshtueshme që vërtetojnë kapjen e Ramës nga kupola e krimit ekonomik.
Për Ponin, Rama ndodhet në një pozitë të mjerueshme për shkak të krimit dhe shkatërrimit të Tiranës, kur tjetërsonte në favor të Besnik Sulës mbi 1300 metra katrorë truall publik, rrugën publike të marrë me qera për llogari të z. Peza e grupit të tij, apo kur ndërtonte në binomin Rama-Delijorgji apo Delijorgji-Rama një qytezë të tërë me mbi 50 pallate dhe tjetërsonte, nënshtronte dhe shkatërronte mbi 500.000 metra katrorë pjesë të territorit të Tiranës.
Duke u ndalur te ky argument Poni tha se "ky akt i shëmtuar tregon qartë se për Edvin Kristaq Ramën deputetët nuk janë për të mbrojtur interesat e qytetarëve në Kuvend por për të mbrojtur dhe ruajtur interesat ekonomike dhe pasurinë kriminale të tij dhe të mafias ekonomike që ai kryeson, pra të Fidelëve, të Dulakëve, të Kokëdhive, të Besnikëve, Doshëve e Leskajve të tij".
Duke iu bërë thirrje deputetëve socialistë që "të mos pranojnë shndërrimin e tyre në gardianë të interesave mafioze të Ramës dhe kupolës së tij, i themi Edvin Kristaq Ramës se nuk ka guardian që do të mund të shpëtojë nga darët e ligjit pallatet e tua të krimit", - theksoi Poni.
Më tej ai iu drejtua direkt Ramës me fjalët: "I nënshtruar ndaj interesave abuzive të mafias së ndërtimit, inspirues i shkatërrimit urban dhe pasuror të qytetit të Tiranës për shkelje të rënda të ligjit, për abuzime monstruoze me pronën publike por edhe me interesat e qytetarit të Tiranës, që vetëm një mendje e vullnet abuziv që nuk i nënshtrohet asnjë rregulli moral e ligjor mund t'i mendojë e realizojë, ndaj teje ka vetëm një recetë. Qyteti i Tiranës ka vetëm një shpëtim".
Këtu Poni nënkuptoi dëshirën e zjarrtë për të hequr Ramën nga posti i tij: "Grupi i këshilltarëve demokratë do të kërkojë në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Tiranës shkarkimin tuaj nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës".
Në përfundim, Poni tha: ‘Këshilli Bashkiak i Tiranës do të të shkarkojë ty për dëmet dhe krimet monstruoze ekonomike, dhe jo vetëm kaq, por do të kërkojë rivendosjen e normalitetit dhe vendimmarrjet e tua që kanë dëmtuar rëndë qytetin e Tiranës, siç është rasti i tokës dhënë besnikut tënd tek Parku "Rinia" etj, etj.".
e.l/NOA - Lexoni replikën e PS: Zëdhënësja e PS, "vë në sedër" Berishën: Në je burrë, fakto akuzat