English

PS: Vetëm në Iran dhe në Shqipëri nuk hapen kutitë

Tiranë, 12 Dhjetor NOA - Partia Socialiste vlerësoi sot se vetëm në Iran dhe në Shqipëri nuk hapen kutitë, duke iu referuar faktit se në Rumani nisi sot procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve që u zhvilluan para pak ditësh. Bota demokratike ofroi këto ditë edhe një shembull tjetër të rëndësisë që ka transparenca e proceseve zgjedhore për legjitimitetin e institucioneve që burojnë nga vota e lirë, - u shpreh Taulant Balla, deputet i Partisë Socialiste në Librazhd.

Ai evidentoi se në Rumani, filloi procesi i rinumërimit dhe rivlerësimit të votave dhe bëhet fjalë për një vend ku kanë marrë pjesë më shumë se 10 milionë votues dhe ku ka patur 140 mijë vota të pavlefshme.

Për Ballën, pak rëndësi ka nëse nga rinumërimi do të ndryshojë apo nuk do të ndryshojë rezultati përfundimtar, pasi siç theksoi, e rëndësishme është që nga ky proces fitojnë demokracia dhe qytetarët.

"Ja pra një shembull tjetër dhe konkret që në demokraci hapja e kutive është një element themelor që garanton transparencën dhe legjitimitetin e institucioneve", - ilustroi Balla.

Këtu ai akuzoi kryeministrin Berisha se "po bën sikur nuk kupton se hapja e kutive është një imperativë e demokracisë dhe për asnjë moment nuk mund të bllokohet e drejta për hapjen e kutive".

Për Ballën, shembulli që vjen nga Rumania, një vend anëtar i Bashkimit Europian, konfirmon qartë se kërkesa e Partisë Socialiste dhe e opozitës në tërësi, është një kërkesë legjitime që gjen paralele në shumë demokraci europiane dhe botërore.

Madje Balla përforcoi kur tha se shembujt për hapjen e kutive janë të shumtë dhe përmendi: "Në djepin e demokracisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, kutitë u hapën ndërsa rinumërimin e bënë gazetarët; Në Itali pak vite më parë u respektua kërkesa e Berluskonit për hapjen e kutive dhe rinumërimin e fletëve të votimit; Edhe në Afganistan ku ne kontribuojmë me forcat tona të armatosura u hapën kutitë dhe u rinumëruan votat".

Në përfundim, duke ritheksuar se "vetëm në Iran dhe në Shqipëri nuk hapen kutitë", Balla përsëriti "refrenin": "Sot ka vetëm një kusht: Sali Berisha o hap kutitë, ose largohu".

e.r/NOA

KOMENTE