Kapshticë, 12 Dhjetor NOA - Një grup njerëzish në Korçë ishin rrezikuar seriozisht pasi u sulmuan me armë zjarri nga një person i cili i kishte vënë si qëllim vetes t'u merrte jetën, por duke mos arritur të realizojë "misionin" dhe i trembur mos e kapte policia, u arratis me destinacion të dëshiruar Greqinë.
Edhe arratia ka dështuar për 26-vjeçarin I.Hyseni, lindur e banues në fshatin Dvoran të rrethit Korçë, pasi ndonëse disa muaj pas krimit të mbetur në tentativë, ai u kap nga policia në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, informon korrespondentja e agjencisë NOA.
Ngjarja për të cilën u kap i kërkuari Hyseni, kishte ndodhur më 1 Gusht të këtij viti. Hyseni në rrethana ende të paqarta të hetimit, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, disa persona në fshatin Dvoran ku edhe ka vendbanimin e tij.
Pas ngjarjes ai ishte larguar për në Greqi dhe vetëm sot u bë e mundur kapja e tij në vendkalimin kufitar të Kapshticës.
Policia tha se i arrestuari për të cilin është prerë masa e sigurisë së arrestit me burg, përballet me akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë, si dhe atë për armëmbajtje pa leje", hetim të të cilave po kryen Prokuroria e Rrethit Korçë.
a.f/e.l/NOA