Ankara, 12 dhjetor, NOA - Gjykata e Lartë e Turqisë bllokoi partinë kryesore kurde, me emrin Partia Shoqërore Demokratike, me argumentimin se ajo kishte lidhje me rebelët kurdë.
Kjo parti u akuzua se bashkëpunonte me Partinë Punëtore të Kurdistanit dhe me grupin e guerilasve separatistë, por edhe sepse sipas Gjykatës së Lartë ajo u bë një pikë qendrore e aktiviteteve kundër integritetit të Turqisë.
Një veprim i tillë është shoqëruar me reagimin e Bashkimit Evropian, i cili u shpreh i shqetësuar për ndalimin e partisë kryesore kurde në Turqi.
"Edhe pse merret parasysh lufta kundër dhunës dhe terrorizmit, mbyllja e partive politike duhet të bëhet duke u përmbajtur shumë", tha lidhur me një fakt të tillë presidenca e suedeze e Bashkimit Evropian.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan për 'kujdes të madh" dhe apeluan tek qeveria turke që të garantojë "liritë politike për të gjithë qytetarët".
n.e/NOA