Berlin, 13 Dhjetor NOA - Lidhur me ngjarjen në Kundus, ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg ka hedhur poshtë kritikat e opozitës. Për gazetën "Bild am Sonntag", politikani i CSU-së tha se atij nuk i janë dhënë dokumentet relevante. Për këtë ngjarje, e kanë marrë përsipër përgjegjësinë inspektori i përgjithshëm Wolfgang Schneiderhan dhe sekretari i shtetit Peter Wichert. Nga akuzat e fundit ai nuk e sheh të rrezikuar postin e tij, tha Guttenberg.
Kryetari i fraksionit të ekologjistëve Jürgen Trittin e kishte fajësuar ministrin e mbrojtjes për gënjeshtra, citon radio DW.
Guttenberg lidhur me bombardimet vdekjeprurëse ndaj dy autocisternave në shtator e ka thënë një " gënjeshtër me paramendim", tha Trittin në televizionin ARD.
Të tre partitë opozitare kërkojnë nga kancelarja Angela Merkel që të japë menjëherë para Bundestagut një deklaratë të qeverisë.
Shumë media njoftuan, duke iu referuar burimeve nga NATO, se Bundesvehri gjatë bombardimit më 4 shtator nuk kishte si qëllim vetëm shkatërrimin e autocisternave të rrëmbyera, përkundrazi para së gjithash vrasjen e udhëheqësve talibanë.Â