English

Masakrohet në grabitje brenda shtëpisë një banor i Devollit

Korçë, 13 Dhjetor NOA - Një person ka mbetur i plagosur rëndë pasi u masakrua në grabitje e sipër nga një 25-vjeçar në Devoll, i cili është arrestuar disa orë pas krimit, informon korrespondentja e agjencisë NOA. Ngjarja ka ndodhur dje në orën 03.00 kur 25-vjeçari Eduart Sino, banues në fshatin Miras në Devoll, ka shkuar në fshatin fqinjë Menkulas, i armatosur.

Sino ka hyrë brenda banesës së shtetasit Sh. Çuçka në fshatin Menkulas dhe është përballur me të ndërsa mbante në njërën dorë automatikun tip "Kallashnikov" dhe në tjetrën një dorezë metalike.

Me t'iu afruar kryefamiljarit, Sino e ka qëlluar me dorezë metalike në kokë, duke i shkaktuar veç traumës psikologjike dhe dëmtime serioze.

Menjëherë më pas, 25 vjeçari i dhunshëm ka marrë dhe paratë që Çuçka kishte në shtëpi, 20 mijë lekë të rinj dhe mandej është larguar nga banesa.

Policia e Korçës tha sot se pas denoncimit që disa orë më parë kishte bërë i dëmtuari, u vunë në ndjekje të të dyshuarit të cilin arritën ta identifikojnë dhe vënë në pranga.

Nga kontrolli që iu bë banesës së 25-vjeçarit, u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatike model 56, e tipit "Kallashnikov", dy krehra me 37 fishekë, një dorezë metalike, si dhe teshat me të cilat autori ka kryer vjedhjen.

Pas futjes së të riut në qeli, tani ai përballet me akuzën e vjedhjes me dhunë, informoi policia e Korçës.

Kohët e fundit ka një shtim rastesh të grabitjeve të dhunshme sidomos në rajonet e Tiranës, Korçës, Fierit dhe Durrësit.

a.a/e.r/NOA

KOMENTE