English

Minatorët të zhgënjyer, revolta në janar kundër qeverisë

Tiranë, 13 dhjetor NOA - Një muaj pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, minatorët ndjehen të zhgënjyer nga premtimet që i dha ministri i Shtetit Genc Pollo.

Kryetari i sindikatës, Fiqiri Xibri deklaroi se gjatë takimit me Pollon, u premtua se kërkesat e minatorëve do të merreshin parasysh shumë shpejt por kanë kaluar më shumë se 20 ditë dhe asgjë e re nuk ka në këtë drejtim.

"Prej një muaji kemi pritur një sinjal nga kryeministria, kemi pritur një përgjigje për kërkesat që i kemi drejtuar qeverisë e kryeministrit Berisha, por duket se me kërkesat tona janë tallur.

"Kjo do të na detyrojë të përshkallëzojmë protestat në fillim të muajit janar, e kësaj here do të jemi më radikalë pasi mendojmë se me këtë qeveri dhe këtë kryeministër s'mund të kemi asnjë rezultat në zgjidhjen e problemeve tona", u shpreh Xibri.

Minatorët kërkojnë miratimin e projektligjit për statusin e cila do t'u mundësojë atyre një pension në moshën 50 vjeç me 15 vite pune në nëntokë.

Nga ky projektligj do të përfitonin mbi 30 mijë minatorë në të gjithë vendin por një vit më parë Kuvendi i Shqipërisë e rrëzoi propozimin e minatorëve.

Qeveria vendosi që mosha e pensionit për minatorët të jetë 60 vjeç gjë që solli reagime të ashpra nga minatorë e metalurgë, të cilët kërkuan të përfshihen dhe ata në projektligj.

b.m/NOA

KOMENTE