English

PD: Opozita, me platformë antishqiptare, do ta ndëshkojmë

Tiranë, 13 Dhjetor NOA - Partia Demokratike akuzon opozitën e drejtuar nga Edi Rama se po shpalos një platformë antishqiptare dhe "kërcënoi" se "përpjekjet e tyre për të izoluar vendin sot, do të marrin ndëshkimin më të rreptë dhe më të merituar nga shqiptarët". Deklarata u bë para disa minutash nga Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD, në një dalje për mediat.

Mëhilli tha se këto ditë, "pinjollët e bllokut apo bllokmenët e rinj, Edvin Kristaq Rama, Xhelil Gjoni i ri, Sul Bushati i ri, Bilbil Klosi i ri, Beqja i ri, Shamku e re së bashku me anëtarët e vjetër të nomenklaturës komuniste Rucin, Doklen e Gjinushin shpallën me gojën e Edvin Kristaq Ramës, liderit lakuriq, platformën e re anti-shqiptare me moton "nuk na duhen të huajt".

Për PD-në, prapa platformës së bllokmenëve të rinj dhe punistëve të vjetër se "nuk na duhen të huajt", qëndron rikthimi në gjenin e etërve të tyre, të cilët për interesa të pushtetit të tyre kriminal i rezervuan vendit izolimin më të thellë.

"Motoja "nuk na duhen të huajt" e pinjollëve të bllokut dhe punistëve të regjur, të kryesuar nga lideri lakuriq Edvin Kristaq Rama, në një kohë kur shqiptarët kanë nevojë jetike lëvizjen e lirë pa viza në Evropë dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, dëshmon qartë se këta shokë nuk kanë interesa të tjera përveç mbrojtjes me çdo kusht dhe me çdo çmim të interesave të tyre personale dhe të kupolës së mafies që drejtojnë", - thuhet në deklaratën e PD që u transmetua nga zëdhënësja Mëhilli.

"Nuk na duhen të huajt" do të deklaronte Edvin Kristaq Rama në emër të bllokmenëve të rinj dhe punistëve të vjetër, - vijoi Mëhilli, - ndërkohë që 96% e shqiptarëve mbështesin integrimin e vendit në BE si projektin më të bukur për veten dhe fëmijët e tyre".

Në përfundim, Mëhilli citoi se "duke dënuar këtë platformë antishqiptare dhe antidemokratike, kryekëput në funksion të interesave të mafies dhe ekonomisë së saj kriminale, PD u deklaron bllokmenëve të rinj se përpjekjet e tyre për të izoluar vendin sot, do të marrin ndëshkimin më të rreptë dhe më të merituar nga shqiptarët".

e.l/NOA

KOMENTE