English

Sigurimet e makinave, drejt liberalizimit

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 13 dhjetor NOA - Në kushtet kur kompanitë shesin policat e sigurimeve nën kosto për të thithur klientë, liberalizimi i tarifave mbetet alternativa më e mirë për të stabilizuar tregun. Kjo do të thotë që çmimet e sigurimit të automjeteve të mos përcaktohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, por nga vetë tregu.

Krahasuar me vendet e tjera kostoja e sigurimit të makinave në Shqipëri konsiderohet e ulët. Sipas drejtores së AMF-së, Elisabeta Gjoni liberalizim do të thotë që kompania në bazë të disa parametrave tekniko- financiarë si dhe e bazuar në historikun e dëmeve të përcaktojë koston, që një qytetarë i duhet të paguajë në mënyrë që ajo të jetë në gjendje të shlyejë përgjegjësitë e marra, në rast aksidenti.

"Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se mund të ndodhin të dyja momentet, pra që çmimet edhe mund të rriten por edhe mund të ulen"- shprehet Gjoni.

Por sipas drejtores është ende herët të parashikojmë se si do të reagojë tregu në vendin tonë, e rëndësishme është që këto prime të jenë sa më realiste.

Aktualisht çmimi dysheme i përcaktuar nga agjencia është rreth 8 mijë lekë në vit, por disa prej kompanive e ofrojnë me kosto edhe më të ulët.

Kjo situatë ndikon në zhdëmtimin e klientëve në rast aksidenti.

"Fenomeni që ndodh tek ne është që kompanitë e shesin nën çmimin e përcaktuar policën, ajo që ne kemi të drejtë të bëjmë është të monitorojmë kompaninë për të parë në rast se ka apo jo aftësi paguese për përgjegjësitë që ka marrë"- thotë Gjoni.

Sipas saj kompanitë e kanë këtë aftësi por në çdo rast që evidentohen probleme më pagesën e dëmeve ndaj klientët, qytetarët mund të denoncojnë pranë kësaj agjencie ose në adresën e internetit www.amf.gov.al.

Tregu i sigurimeve arrin një xhiro vjetore prej 50 milionë euro. Investitorë të huaj të fuqishëm janë bërë bashkaksioner në kompanitë shqiptare, ndaj liberalizimi i tarifave do të sillte një konkurrencë edhe më të madhe në treg.

r.l/NOA

KOMENTE