English

Superoperacioni i policisë shkatërron bandën që grabiste bizneset e mëdha

Tiranë, 13 dhjetor NOA/UPDATE - Një bandë e organizuar kriminale është shkatërruar sot nga Policia e Tiranës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Operacioni i koduar "Hijet e Natës", më i madhi i zhvilluar gjatë këtyre viteve të fundit u finalizua me arrestimin e shtatë personave, anëtarë të një organizate të gjerë kriminale.

Burime nga policia tha se anëtarët e këtij grupi vepronin në vjedhjet e bizneseve të mëdha në Tiranë dhe gjobëvënie.

Elton Lika, Sajmir Kuci, Euklit Habili, Taulant Mataj, Sulejman Bakalli, Dritan Duka dhe Admir Gurri janë shtatë të arrestuarit të cilët akuzohen për një sërë veprash penale, kryesisht vjedhje.

Grupi kriminal ka arritur të mbledhë shuma të mëdha parash duke vjedhur me dhunë dhe kërcënime.

Burime nga policia thanë se janë dokumentuar tërësisht disa prej vjedhjeve të kryera nga ky grup në kohë dhe vende të ndryshme.

Kështu ata akuzohen se kanë vjedhur disa kompjutera në ambasadën daneze, dhe disa kompani të njohura në vend, prej nga kanë marrë shuma të konsiderueshme parash.

Sipas policisë, autorët dyshohet se kanë përfituar nga vjedhjet një shumë parash prej 60 milionë lekë të reja, një pjesë e së cilës u sekuestrua nga policia.

Sipas policisë të arrestuarit akuzohen se më datë 6 dhjetor të këtij viti 2009, kanë tentuar të vjedhin kasafortën në firmën "Skutari" e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës.

Po në të njëjtën datë dyshohen se kanë vjedhur një sasi parash prej 10 milion lekësh në ambientet e firmës "Ferlut", në Tiranë.

Më datë 11 nëntor të këtij viti, kanë tentuar të vjedhin agjencinë e udhëtimeve "Pasha Travel", e ndodhur në rrugën "Vaso Pasha" në Tiranë.

Më datë 3 nëntor të këtij viti kanë vjedhur kasafortën në ambientet e firmës së ndërtimit "Merkaj", me një sasi parash prej 10 milion lekësh.

Më datë 23 tetor 2009, dyshohen se kanë kryer vjedhjen e ambasadës Daneze në Tiranë.

Më datë 2 tetor 2009, kanë tentuar vjedhjen e kasafortës në banesën e biznesmenit Dritan Pashaku. Â

Më datë 28 prill 2009, kanë kryer vjedhjen e kasafortës së biznesmenit Ilirjan Cela, ku kanë marrë një shumë prej 600 milion lekesh.

Me date 30 mars të këtij viti kanë kryer vjedhjen e kasafortës së agjencisë turistike "ATHS", ku janë marrë shuma e parave prej 30 milion lekesh.

Gjatë një deklarate për shtyp, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj tha se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një kasafortë, dy automjete të cilat shërbenin për lëvizjen dhe transportin e sendeve të vjedhura, 2 lap-top, një sasi prej 4 000 euro, aparate celular dhe mjete që shërbenin për hapjen e kasafortave.

Strukturat e hetimit të Policisë së Tiranë, disponojnë informacione se këto shtetas në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë kryer një sërë vjedhjesh, që prej vitit 2000 në autostradën Tiranë-Durrës si dhe për një sërë vjedhjesh të tjera të ndodhura në Tiranë.

k.k/NOA

Â

KOMENTE