E keqja e mbyllur në kutitë e 28 qershorit, është e keqja që nuk del përveçse me protestë nga jeta e përditshme e shqiptarëve, të cilëve pushteti i së keqes, i gënjeshtrës dhe i shpifjes, i premtimeve të pambajtura dhe i zullumeve të papërmbajtura u mohon votën, u mohon punën, u mohon mirëqenien
Nga Edi Rama (Foto:Â NOA/LSA)
Kryetar i PS
Fatura mujore e familjes shqiptare do të rritet në janar me çmimin e ri të energjisë, si fillim ky çmim bën zero rritjen e rrogave dhe pensioneve të këtij viti. I papërballueshëm bizneset e vogla familjare kanosen nga 1 janari me TVSH dhe tatim fitimi, falimentim i sigurt për shumicën, rritje e pashmangshme çmimesh në dyqanet që do mbijetojnë. Punësimi zero, papunësia dhe varfëria do të vazhdojnë të rriten dorë për dore. Të papërballueshme vizitat në spitale, për 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, të cilët prej dy muajsh duhet të paguajnë cash 4-5 herë më shumë. Të papërballueshme edhe kostot e arsimimit të fëmijëve për familjet e varfra. 30 mijë familje të reja hyjnë në skemën e ndihmës ekonomike. Por, ndihma ekonomike ka filluar të pritet arbitrarisht, fillimisht duke mos u dhënë asgjë prej muajsh invalidëve në shumë zona të vendit edhe këtu në Durrës, prej muajsh nuk paguhen as mësuesit me kontratë, skllevërit e dispozicionit në arsim, të cilët nga frika se humbin edhe shpresën e vetme për t'u punësuar një ditë, vazhdojnë të heshtin, ndërkohë leku i mezi mbajtur në këmbë së fundmi, do të vazhdoj të zhvlerësohet tamam si një taksë e fshehtë që shteron fuqitë blerëse të familjeve të zakonshme. Nga ana tjetër do të vazhdoj rënia e dërgesave të emigrantëve, që mbajnë prej vitesh gjallë ekonominë shqiptare, sidomos ekonominë e familjeve në fshat. Në këtë ngricë ekonomike që ka zënë peng vendin, qeveris një pushtet pa legjitimitet, që përmes parasë të zezë synon të përjetësojë sundimin e vet mbi një Shqipëri të dërrmuar nga varfëria, papunësia, injoranca, dhuna dhe korrupsioni. Pushteti agresiv që e ka kthyer qeverinë e vendit në një regjim për llogari të një familjeje, familjes së Sali Berishës, rrethuar nga shërbëtorë dhe klientë në një oborr ku lidhen e zgjidhen fijet e interesave ekonomike të vendit, ku shteti është i organizuar kundër lirisë dhe të drejtës së votës, kundër lirisë dhe të drejtës së konkurrencës, kundër lirisë dhe të drejtës së meritës. Pushtet që i ndan shqiptarët në tanët dhe në të armikut. Që i fut njerëzit si kope nëpër autobusë e nëpër trena, për t'i mbledhur në sheshin "Skënderbej" për të treguar se tanët janë më shumë se të armikut. Që me paratë e taksave bën mitingje kundër opozitës, ku shteti i mbajtur mbi gënjeshtrën dhe shpifjen mbi shifra të manipuluara suksesesh të paqena, që u serviren shqiptarëve si fitore të ngjashme me ato të Skënderbeut dhe mbi baltën e papërmbajtur të akuzave ndaj opozitës, që është shpallur së fundmi rrezik kombëtar. Ne jemi sot këtu sepse kjo Shqipëri e ndarë me gjuhën e urrejtjes, nuk u jep më të moshuarve qetësinë që meritojnë, nuk u jep burrave dhe grave punën që kërkojnë, nuk u jep as më të rinjve perspektivën që dëshirojnë. Kjo Shqipëri nuk jep shpresë për liri të të gjithëve e barazi përpara ligjit, por lirinë ia jep veç familjes në pushtet që të qëndroj mbi ligjin bashkë me oborrin e shërbëtorëve dhe klientëve të vet dhe të bëjë ligjin me pronat dhe me të ardhmen e shqiptarëve. Kjo Shqipëri nuk garanton as liritë më elementare të botës dhe barazinë përpara votës, e cila pasi numërohet keq dhe shumë keq për llogari të pushtetit të familjes i fshihet syrit të popullit njësoj si në llumokracitë e shpifura matanë kufijve të Evropës, në të cilën duam të integrohemi. Ne jemi sot këtu për një betejë që vazhdon, për liri të barabarta e të drejta të barabarta, pa të cilat nuk ka paqe, nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie. Sali Berisha e ka humbur të drejtën për të qeverisur Shqipërinë, jo vetëm sepse ka grabitur votat, por sepse ka ndaluar hapjen e kutive të votimit, duke shkelur të drejtën më elementare të popullit sovran për të parë votën e vet.
Ne do ta kërkojmë me forcë në çdo shesh e në çdo rrugë të Shqipërisë largimin e Sali Berishës, përderisa kutitë nuk hapen dhe ndërkohë rrugët e punësimit, rrugët e zhvillimit, rrugën e mirëqenies së shqiptarëve mbyllen përditë.
Hap kutitë ose largohu, është mesazhi i popullit opozitar për Sali Berishën, kryefjala e protestës tonë, që nuk ndalet pa shpëtuar demokracinë nga votat e vjedhura dhe nga kutitë dhe rrugët e mbyllura. E keqja e mbyllur në kutitë e 28 qershorit, është e keqja që nuk del përveçse me protestë nga jeta e përditshme e shqiptarëve, të cilëve pushteti i së keqes, i gënjeshtrës dhe i shpifjes, i premtimeve të pambajtura dhe i zullumeve të papërmbajtura u mohon votën, u mohon punën, u mohon mirëqenien. Ne do të përballemi me të keqen që ka kapur këtë shtet të bërë njësh me pushtetin. Ky është pushteti i një dore biznesmenësh të oborrit familjar të Sali Berishës. Ne do të jemi partia e çdo shqiptari që merret me biznes.
Ne do të përballemi me Sali Berishën në mbrojtje të sipërmarrësve të vegjël, të mesëm e të mëdhenj dhe do t'i çlirojmë njëherë e mirë njerëzit e biznesit në Shqipëri nga makthi i një pushteti kryekëput klientelistësh të korruptuar, i cili i trajton ata si kulak që duhen rrjepur me gjoba, apo si mafioz që duhen asgjësuar me forcën e paligjshme të shtetit të kthyer në vegël të pushtetit.
Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse Shqipëria është e çdo shqiptari e shqiptareje, që lirinë dhe të drejtën për të bërë biznes ia jep Kushtetuta dhe nuk është prona jote dhe e familjes tënde, apo e oborrit të shërbëtorëve dhe klientëve të familjes tënde. Sot ky pushtet i vjedhur i ka borxh dhjetëra milion euro kompanive të rrugëve, që janë zhytur nga ana e tyre në borxhe, për të shtruar asfalt në kohën e shiritave elektoral, me premtimin se lekët do t'i merrni më mbrapa. U ka borxh me shifra të pallogaritshme të gjitha kompanive të mëdha e firmave të vogla shqiptare që përballen çdo ditë me referenca mashtruese dhe me një paqëndrueshmëri rregullash që trondit vijimësisht themelet e tyre. U ka borxh po ashtu edhe më zi akoma të gjitha familjeve që merren me biznes në kushtet e një klime barbarie ku Sali Berisha ka dhënë kushtrime lufte që paturpërsisht e quan kundër mafias, por që në fakt është lufta mafioze e pushtetit të tij kundër sipërmarrësve që me paaftësinë e tyre mediatike apo ekonomike e shqetësojnë pushtetin politik dhe ekonomik të familjes së tij.
Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse po prek përditë liri dhe të drejtat e barabarta kushtetuese, të gjithë shqiptarëve sipërmarrës të cilët punësojnë të tjerë shqiptarë që ushqejnë familjet e tyre me punë dhe me mund dhe meritojnë të trajtohen me nderim e dinjitet nga qeveria e vendit të tyre, jo me përçmim dhe agresivitet, nga një pushtet që ju ka grabitur votat për të grabitur edhe vendin. Protesta jonë do të bëhet pronë e çdo shqiptari që nuk e duron dot më këtë shfaqje bajate llafesh për integrim dhe veprash për diskriminim, kudo në çdo qytet dhe në kryeqytet pa dyshim e ndarë në qindra pjesë e pjesëza kështu si sot, por edhe e bashkuar në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku pas Vitit të Ri do të rikthehemi më të shumtë dhe këmbëngulës se sa në 20 nëntor.
Përpjekja e turpshme dhe kriminale e Sali Berishës për të na njollosur si opozitë duke arritur të na quajë sinonim të mafias, është një përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar për t'ju thënë shqiptarëve se në këtë vend të gjithë janë njësoj, të gjithë janë të korruptuar, të gjithë janë të zhytur në zullum, prandaj ju shqiptarë mos i shkoni pas opozitës si në 20 nëntor, mos kërkoni hapjen e kutive bashkë me opozitën që e keni votuar shumicë në 28 qershor, mos protestoni për largimin tim. I alarmuar nga frika e popullit opozitar dhe i kapur peng nga e vërteta e kutive që mban peng, Sali Berisha po prodhon çdo ditë sasira të jashtëzakonshme balte dhe kërcënimesh për opozitën, por opozita është sot më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë për ta përballur grabitësin e 28 qershorit me të gjitha të vërtetat e hidhura të keqqeverisjes së tij. Ndërkohë për shpifjet e përditshme ndaj opozitës të etiketuar si mafioze, Sali Berishën e presin në gjykatë dhe prokurori me dhjetëra padi që shtohen çdo ditë. Le të bëhet një herë burrë ky gojëpërdalë që ka 20 vjet që e torturon këtë vend dhe këtë shoqëri me fjalorin e tij, me të sharat, shpifjet dhe gënjeshtrat e tij dhe le të shkoj në gjykatë e prokurori. Të përballet me të gjitha ato që paturpësisht ka thënë në kohë plot panik për të, vetëm e vetëm për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga e vërteta e madhe që e mban peng në kutitë e votimit të mbyllura forcërisht.
Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse nuk mund ta shpallësh opozitën mafia në vitin 2009, në mes të Evropës. Nuk mund të përdorësh pushtetin për të vërsulur shtetin kundër opozitës. Nuk mund të sundosh ti këtë popull, duke i treguar opozitës darët e ligjit, ti, që je i zhytur fund e krye në borxh me ligjin dhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Nga ky shesh i Durrësit, i përsëris Sali Berishës, se e ka të kotë që përpiqet të mbulojë zullumet e veta duke ju hakërryer opozitës si i marrë.
Nuk e ka fajin opozita që 26 viktimat e Gërdecit kërkojnë drejtësi. Nuk e ka fajin opozita për qindrat e milionat eurove të popullit shqiptar që janë varrosur nën gërmadhat e tunelit të shembur në Kalimash dhe që kërkojnë drejtësi. Nuk e ka fajin opozita për qindra dhe mijëra hektarët trojeve të tjetërsuara nga pushteti i familjes, për të përfituar familja në pushtet. Nuk e ka fajin opozita për minierat, lumenjtë, fushat, kodrat, ku korrupsioni ka shtrirë kthetrat e veta përmes koncesionesh klienteliste, për të shfrytëzuar barbarisht mjedisin tonë, ashtu si edhe këtu në Durrës, duke shitur të ardhmen e të gjithëve për përfitime të disa njerëzve.
Nuk e ka fajin opozita për kapjen e shtetit dhe kthimin e prioriteteve të ekonomisë familjare të Sali Berishës, në prioritete të qeverisë së këtij vendi. Këto janë zullumet e njeriut që grabiti zgjedhjet, për të grabitur Shqipërinë dhe që kurrë e asnjëherë nuk do ta thyej dot opozitën duke e goditur ulësisht me baltën e shpifjeve më të shëmtuara, apo me forcën abuzive të shtetit të bërë vegël të pushtetit.
Ne, na ka dhe do të na ketë përballë çdo ditë më të vendosur se kurrë për t'i dhënë kësaj shfaqjeje të pistë 20-vjeçare që i ka nxjerrë shqiptarëve nga qejfi vendin e tyre dhe që u ka poshtëruar traditën e tyre dhe që u ka dhënë shembullin më të shëmtuar. Jemi në këtë betejë për t'i dhënë fund kësaj komedie që Sali Berisha luan me gjoja dosjet e tij prej 20 vjetësh. Shpif e shpif, se diçka mbetet, dhe mjafton të jesh i paturpshëm dhe të gënjesh si derr, derisa ta bësh derr kundërshtarin dhe të gjithë popullin me rrena që hutojnë dynjanë, me rrena të mëdha, sa më të mëdha. Dhe ja ku jemi. 20 vjet në foltore, ky kokërr gënjeshtari ka shaluar në rrena tërë miletin mbarë e prapë, madje vazhdon pa pikë turpi, të bëjë sikur lufton me të keqen, edhe pasi ka thënë në sy të gjithë botës, duke u zgërdhirë se për të këqijat që tha për 15 vjet për Fatos Nanon njerëzit nuk duhet t'i kishin marrë seriozisht. Se politika kështu e ka, domethënë gënje për të bërë sikur luftojmë. Edhe ato që tha, kushedi sa vjet, për Ilir Metën ishin lojë politike, domethënë sapo e ka njehsuar elektoratin kundër armikut, sepse në fakt zoti Meta kur vjen në prehër nuk është më mafioz, por nuse për integrim.
Ashtu si kundër nuk janë më hajdut, as kusar rulët e xhuvelët, imamët dhe neritanët, qyshse janë bërë çingie të oborrit, që i bëjnë këngë ahengu për popullin shpifjet e Saliut. Domethënë shkurt fjala: është mafioz dhe i zi bloz kush i del përballë këtij farë burri, që se ka për gjë të thotë, se e gjitha ishte gallatë sapo kundërshtari i bie në gju për një pjatë.
Mjaft me këto gallata asfiksuese, që e kanë bërë politikën neveri dhe që i kanë bërë qytetarët e këtij vendit të mendojnë se ja kjo është politika, prostitucion në ditët për diell. Jo, politika nuk është kjo. Kjo është vetëm karikatura e politikës, karikatura e demokracisë, karikatura e shtetit të së drejtës, karikatura e ekonomisë së tregut. Një karikaturë e dhimbshme që nuk bën askënd për të qeshur. Ka ardhur koha që të bashkohemi më fuqinë e madhe të ndryshimit, që zien në shpirtin tuaj, në shpirtin e popullit opozitar të Shqipërisë.
Ne jemi këtu për ta udhëhequr këtë fuqi për një Shqipëri evropiane, ku demokracia të jetë realitet dhe shteti i së drejtës të jetë garanci dhe ekonomia të jetë në duart e konkurrencës së lirë, jo në kthetrat e pushtetit që prek dhe vjedh lirinë e të tjerëve.
Hap kutitë ose largohu Sali Berisha. Deri në fund, deri në ditën e lirisë së vërtetës së zgjedhjeve dhe të vërtetës së lirë të popullit sovran në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë.