Njerëzit kanë filluar ta shohin se çfarë dëme po i shkakton Kosovës Plani i Ahtisaarit me këtë decentralizimin etnik përbrenda. E që këto të gjitha të kamuflohen disi, duhen ngjarje si dekorimi Honoris Causa
Nga Vetëvendosje
Me rastin e një vizite të zëvendësit të kryenegociatorit Ahtisaari, Albert Rohan, Universiteti i Prishtinës atij ia ndajti çmimin Doctor Honoris Causa. Sipas UP-së ai këtë çmim e mori si shpërblim të punës në procesin e pavarësimit të Kosovës, si hartues i dytë i Pakos së Ahtisaarit dhe ndihmës për bisedimet mes Kosovës e Serbisë. Kosova nuk është pavarësuar ende e as që do të pavarësohet siç duhet nëse vazhdohet kësaj rruge. Zaten Albert Rohan ka punuar në një proces i cili ia pamundëson Kosovës pavarësinë në thelb.
Pakoja e Ahtisaarit na e pamundëson që ne vërtet të kemi shtet - institucionalisht përmes shumicës së dyfishtë, dhe territorialisht e kulturalisht përmes decentralizimit etnik e eksterritorialitetit fetar. Albert Rohan ka punuar që në Kosovë përveç komunave ekzistuese me shumicë serbe, të udhëhequra nga strukturat e pashbërbëra paralele, të krijohen edhe gjashtë të tilla. Ai ka punuar që gjithë historia dhe kultura jonë mesjetare t'i takojë Serbisë përmes tjetërsimit dhe serbizimit të kishave dhe manastireve ortodokse, të cilat pas punës së Rohanit quhen ‘serbe'. Punoi edhe që përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës të kenë të drejtë vetoje përmes të ashtuquajturës ‘shumicë e dyfishtë', ku për çdo aprovim për ndryshim apo amandamentim të ndonjë ligji me rëndësi jetike duhet të pyeten edhe serbët. Në të gjitha këto dhe shumë dëme të tjera të cilat i shkaktohen Kosovës prej Planit të Ahtisaarit, Albert Rohani ishte hartuesi i dytë. Bile ishte edhe ai që ndihmoi që të gjitha këto të jenë pjesë e pazarllëqeve me Serbinë. Për këtë e falemnderuan duke ia dhënë çmimin Honoris Causa.
Njerëzit kanë filluar ta shohin se çfarë dëme po i shkakton Kosovës Plani i Ahtisaarit me këtë decentralizimin etnik përbrenda. E që këto të gjitha të kamuflohen disi, duhen ngjarje si dekorimi Honoris Causa.
Është gjynah ta shikosh Universitetin e Prishtinës tek synon ta promovojë vetveten nëpërmjet promovimit të politikanëve të ndryshëm, të cilëve me inflacion të paparë u ndan Honoris Causa. Çdo të bëjë UP-ja kur të harxhohen të gjithë politikanët e njohur botërorë? Vetëm atëherë, ndoshta, UP-ja do t'i kthehet problemeve të veta: arsimimit kryesisht të dobët, kuadrove të papërgatitura profesionalisht në pjesë të madhe, kushteve të mjerushme të arsimimit etj.
Ekziston një problem elementar konceptual me praktikën inflacionare Honoris Causa nga UP-ja. Honoris Causa është titull akademik që njerëzve të shquar nga bota akademike e shkencave, arteve apo dijeve humane u jepet për arritje të rëndësishme e të mëdha nga këto fusha. Por në UP ai jepet për veprime politike! P.sh. Bill Klintonit do të mund t'i jepej titulli Honoris Causa për arritjet e tij akademike (si studiues i doktoruar në konfliktin britaniko-irlandez), por jo edhe si, ta zëmë, urdhërues i bombardimeve të NATO-s më 1999. Ose Sali Berfishës do të mund t'i jepej titulli akademik për studimet e tij të njohura ndërkombëtarisht nga fusha e kardiologjisë, por jo edhe për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Albert Rohani do të mund të vlerësohej me Honoris Causa për arritje tjera, por kurrsesi për Planin e Ahtisaarit.
Kështu, UP-ja po e luan rolin e legjitimimit akademik të realpolitikës në duart e pushtetit politik, në shoqërinë tonë ku dija dhe pushteti funksionojnë si dy anët e të njëjtës medalje. Ne ende jemi shoqëri në të cilën konceptohet se dija rrjedh nga institucioni, dhe këtë po e keqpërdor politika nëpërmjet Universitetit. UP-ja si dukuri është sublimim i degradimit social, politik e moral në të cilin po fundoset Kosova. Shumica e ‘profesorëve' të pushtetit vijnë nga UP-ja dhe shumica prej atyre ende të pamagjistruar e të padoktoruar, synojnë t'i arrijnë titujt shkencorë te kolegët e tyre profesorë. Ne kemi parë kryeministra, ministra, policë, e truproja politikanësh që ngriten shkencërisht te shokët e tyre politikë që janë njëkohësisht figura universitare.