Uashington, 14 dhjetor, NOA - Vetëm në fund të vitit të ardhshëm do të duken qartë rezultatet e strategjisë së re në Afganistan të propozuar nga presidenti amerikan, Barak Obama.
Kjo deklaratë është bërë prej tij duke sqaruar se vetëm në fund të vitit 2010 do ta dijë se a po funksionon si duhet strategjia e tij për Afganistanin. E nëse ushtria amerikane nuk do të jetë në kursin e "sigurisë së qendrave me popullatë" nga militantët talebanë, ai ka premtuar të realizojë ndryshime.
Ndërkaq, kryeministri britanik Gordon Broun tha se muajt në vazhdim do të jenë kritikë ndërsa më shumë trupa ndërkombëtarë bashkohen në luftën kundër kryengritësve në Afganistan.
Një deklaratë të tillë ai e ka bërë gjatë një vizite të papritur në Afganistan ndërsa u takua me presidentin afgan Hamid Karzai në një bazë ushtarake në Kandahar.
"Ka një vendosmëri për të mposhtur Talebanin dhe për t'i dobësuar ata. Besoj se do të ketë vendosmëri edhe nga ana e qeverisë afgane për të luajtur një rol më të madh në të ardhmen", tha ai gjatë këtij takimi.
n.e/NOA