English

Operacioni "Piloti", sekuestrohen 150 kg marijuanë nga Lazarati drejt Sarandës

Gjirokastër, 14 dhjetor, NOA - Nën operacionin e koduar "Piloti", policia ka mundur të sekuestrojë plot 150 kilogramë marijuanë të fshehura në një automjet që shkonte nga Lazarati drejt Sarandës.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Gjirokastrës, sipas të cilave operacioni u organizua në gjithë aksin rrugor Gjirokastër-Jorgucat dhe konkludoi me kapjen e lëndës narkotike, por ende jo të trafikuesit të saj.

Mësohet se marijuana ishte futur në një automjet benz me targa TP 1221 B dhe u konstatua poshtë fshatit Lazarat, në aksin rrugor Gjirokastër- Sarandë duke lëvizur me shpejtësi të madhe.

Forcat e policisë i janë vënë pas dhe në kthesën e fshatit Derviçan, drejtuesi i mjetit si pasojë e shpejtësisë dhe trafikut të madh, ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën mbajtëse të autostradës dhe menjëherë është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira.

Grupi hetimor në vendngjarje konstatoi se lënda narkotike ishte ndarë në 55 pako me peshë 1 kilogramë secila dhe një çantë të madhe shpine e mbushur, e cila peshonte 26 kilogramë.

Ndërsa në bagazhin e makinës, konstatuar 45 pako me peshë 1 kilogramë secila si dhe një çantë shpine e madhe e mbushur me 24 kilogramë.

Ndërkaq, nga verifikimet e mëtejshme të bëra për të identifikuar pronarin e automjetit rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim si i vjedhur në Sarandë dhe pronari i tij kishte bërë denoncimin përkatës.

Po kështu, bëhet me dijeni se është identifikuar personi që drejtonte këtë automjet gjatë transportit të lëndës narkotike dhe po punohet për kapjen e tij.

n.e/NOA

Â

Â

KOMENTE