Tiranë, 14 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Bejtja ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka denoncuar në emër të PS-së, situatën sipas tij, të papërgjegjshmërisë së plotë të qeverisë shqiptare ndaj thellimit të rëndë të krizës ekonomike, duke e injoruar atë dhe efektet e saj dhe duke trumbetuar "ditë të lumtura" për shqiptarët.
"Është kjo një situatë që ka filluar që herët pa filluar fushata zgjedhore e këtij viti, për të vazhduar akoma më tej gjatë saj me fushatën e inaugurimeve të gënjeshtërta dhe shkatërruese për ekonominë shqiptare.
Mashtrimi me gjoja punë publike për të rritur atë imazh të shkatërruar të qeverisë nëpërmjet gjoja çeljes së shumë investimeve në infrastrukturë e vepra të tjera publike, me një arkë bosh qysh para dhe gjatë fushatës, me efekte negative në përkeqësimin e sigurt të nivelit të jetës së qytetarëve tanë, dhe me të vetmin qëllim për të garantuar vjedhjen dhe keqpërdorimin e pushtetit ekonomik edhe një mandat tjetër, nuk e ndaloi babëzinë dhe armiqësinë e Sali Berishës dhe qeverisë së tij ndaj shqiptarëve" tha sot Bejtja.
Sipas deputetit socialist, qeveria u është vërsulur bizneseve shqiptare në të gjithë nivelet pa menduar se janë pikërisht këta sipërmarrës të suksesit në këtë mjedis ekonomik kaq të pasigurt dhe thellësisht të monopolizuar politikisht që garantojnë zhvillimin e saj dhe të ardhmen vendit.
"Bizneset e mëdha detyrohen të parapaguajnë norma të papërballueshme tatimesh për të mbushur arkën.
Njësitë e qeverisjes vendore privohen nga e drejta e tyre ligjore për më shumë të ardhura duke iu zvogëluar atyre numrin e bizneseve që kanë nën kontroll tatimor.
Bizneset e vogla dhe të mesme detyrohen të paguajnë më shumë sigurime shoqërore apo tatime në nivele të ndryshme të administrimit të biznesit duke paguar në formë detyrimesh më shumë se 90% të marshit të tyre për shtetin që i vjedh dhe i shfrytëzon cdo ditë.
Papunësia rritet me ritme alarmante" tha më tej Bejtja. k.k/NOA
Â