English

Refleksione 92, Jorgo Gogu ekspozitë në Muzeun Historik

Nga Milena Selimi

Tiranë, 14 dhjetor, NOA - Është shfaqur sërish përpara publikut me një ekspozitë pikturash në Muzeun Historik Kombëtar, ku Jorgo Gogu, me dilemën e përjetshme të artistit të shqetësuar të ngjyrës dhe formës na befason me 23 pikturat dhe vizatimet grafike, të cilat na afrojnë me subjekte të prekshme dhe të veçuara nga jeta e përditshme.

... Ajo që shfaqet para syve të Jorgos nuk është fantazi, por realitet....shprehet për artistin, Profesor Gazmend Leka. Përjetimet që merr nga ngjyra e tij të bëjnë të mendosh se në të gjithë, këtë jetë, Jorgaqi ka ëndërruar që të mos e shkëpusë asnjëherë veten dhe artin nga e sotmja, por edhe nga nevojat e tij për t'i shprehur.

Jorgaq Gogu është një piktor që i përket plotësisht pasqyrimit të figurës, si forma më tradicionale e shprehjeve artistike. Krijimtaria e tij është ekzekutuar dhe ekspozuar prej mëse 40 viteve. Ajo që paraqet në këtë ekspozitë lidhet me përpjekjen e tij në pikturë. Kjo përpjekje e ka vënë Jorgaqin para një sfide të madhe, të cilën e dëshiron ta përballë e ta paraqesë në publik.

Studiouesja Zana Varvarica shprehet se "I afrohem punimeve të Gogut, për të justifikuar se piktura, edhe tek ai, është një rit personal, i shfaqur përmes 23 subjekteve apo burimeve nga është frymëzuar piktori, është imazh që lexohet dhe e vendos piktorin në grupin e madh të piktorëve figurativë, vepra e të cilëve lëçitet nëpërmjet vëzhgimit të pasqyrimeve konkrete.

Ata janë modele të natyrës materiale dhe modele të natyrës njerëzore. Vizitori e ndjek dhe e dallon ritmin e Gogut si përmes figurës ashtu dhe përmes informacionit që jep titulli".

Nisja nga eksperiencat botërore të artit dhe përballja me figurativen e Gogut zbulon se në mënyrë referente ka zgjedhur të interpretojë idetë e tij me figurën njerëzore nëpërmjet elementeve të vizatimit dhe ngjyrës. Prej këtu studiesja Varvarica dallon disa veti të tij: "Ai ka zgjatur dhe ka disproporcionuar përmasat e figurës njerëzore. Lëvizjes pozicionale të figurës i ka dhënë rëndësisnë kryesore. Gjithashtu i ka dhënë të drejtën, nëpërmjet lëvizjeve ekspresive, të shprehet rreth ekzistencës së gjendjes emocionale. Ai në mënyrë naive ka zvogëluar portretin dhe ka skematizuar gjymtyrët.

Ai krijon modelin e tij. Deri më tani, kjo është përpjekja dhe sfida e Jorgaq Gogut, që finalizohet tek mbështjellja e një sipërfaqe me petkun dekorativ.

Ky petk ka nevojë të qartësohet deri në vështrimin e fundit, ku ngjyrat si element fizik, përcaktojnë idenë se kemi të bëjmë me një pikturë me ngjyra tubeti, që shtrihen për të kolorizuar dallueshmërinë e figurave nga njëra-tjetra dhe na japin imzhet e një një vepre decorative figurative, me brumtim organik naiv".

m.s/e.r/NOA

KOMENTE