Tiranë, 14 dhjetor NOA - Në aeroportin ushtarak të Rinasit u zhvillua ceremonia e pritjes së Kontigjentit të 2-të Paqeruajtës, i cili përfundoi misionin në republikën e Çadit. Për të pritur paqeruajtësit kishin dalë zv.ministri i Mbrojtjes Arian Starova, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së kundëradmiral Kristaq Gerveni, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Forcave tona të Armatosura, familjarë dhe të afërm të ushtarakëve pjesëmarrës në këtë mision etj. I pranishëm ishte edhe zv.ambasadori francez në Tiranë.
Fjalën e rastit e mbajti zv.komandanti i Forcës së Bashkuar gjeneral brigade Vladimir Qiriazi. Më pas të pranishmit i përshëndeti zv.ministri i Mbrojtjes Arian Starova. Ai i uroi trupave të Kontigjentit të Dytë mirëseardhjen në atdhe dhe i falënderoi ata për përmbushjen me sukses të plotë të misionit të tyre në Çad.
Ju e mbajtët me nder Flamurin e Republikës së Shqipërisë, - iu drejtua z. Starova trupave paqeruajtëse, - duke dhënë kështu një ndihmë të çmuar për ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Çad dhe duke u qëndruar pranë popullit në nevojë të këtij vendi.
Në vijim Starova u drejtoi një falenderim të veçantë familjarëve dhe të afërmëve të misionarëve paqeruajtës, që për më shumë se gjashtë muaj kanë skarifikuar dhe mbështetur bijtë e tyre në këtë mision të vështirë, duke u bërë pjesë edhe e suksesit të tyre.
Gjithashtu z. Starova falenderoi qeverinë franceze dhe Forcat e saj të Armatosura për mbështetjen që i kanë dhënë ushtrisë shqiptare e në veçanti misioneve tona të paqes në Çad.
Kontigjenti i 2-të i Çadit shërbeu për 6 muaj nën komandën franceze, në kuadër të misionit paqeruajtës të OKB-së. Ai kishte në përbërjen e vet 63 ushtarakë, nga të cilët 9 oficerë, 25 nënoficerë dhe 29 ushtarë profesionistë.
Detyra kryesore e këtij kontigjenti ishte sigurimi dhe ruajtja e Shtabit të OKB-së dhe e bazës ushtarake në kryeqytetin e Çadit.
Deri tani në Çad kanë shërbyer 124 ushtarakë shqiptar, efektivë të Regjimentit Komando dhe, ndërkohë, sapo ka nisur misionin kontigjenti i 3-të, i cili u nis para disa ditëve.
e.r/NOA