English

Topalli: Me ne Shqipëria ka ndryshuar, PD ka bërë histori kurse Rama ka uzurpuar PS-në

Tiranë, 14 dhjetor, NOA - Partia Demokratike ka bërë histori dhe me anë të drejtimit të saj Shqipëria gjatë këtyre viteve ka ndryshuar.

Kjo ka qenë deklarata e mbajtur në hapjen e Kuvendit Kombëtar të kësaj force politike nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, sipas të cilës PD është partia që bëri të mundur MSA-në, futi Shqipërinë në NATO e do ta fusë atë së shpejti edhe në Bashkimin Evropian.

"Kur ishim në opozitë ne treguam një forcë të madhe dhe treguam besimin e motivin për të ardhur në pushtet e drejtuar vendin, ndërsa sot ne kemi punën e kryer si provë", tha ndër të tjera Topalli.

Sipas saj, para vitit 2005 nuk kishte investime të huaja, në qytet urdhëronin banda si ajo e Aldo Bares apo Lul Berishës, ishte koha kur çdo zyrtar i lartë punonte për veten.

"Ishin kohë të vështira por ju nuk u dorëzuat kurrë, - iu drejtua delegatëve demokratë Topalli, - shqiptarët i thanë Sali Berishës ‘Na drejto' ndërsa socialistët na thonin se ne do të mbeteshim përherë në opozitë".

Më tej, ajo ka vijuar duke thënë se sot nuk në vend ka më banda, Aldo Bare është në burg dhe ndaj Partia Demokratike fitoi sërish zgjedhjet.

"Luftuam korrupsionin dhe kursyem 5 milionë dollarë çdo vit ndaj fituam, Berisha bëri rrugën e kombit ndaj fituam. Guximi ynë për ndryshim bëri që shumica të votojë për Partinë Demokratike, ndërsa nga ana tjetër nuk pranojnë 28 qershorin dhe sistemin e demokracisë", tha Topalli.

Duke përmendur rivalin politik, ajo tha se Edi Rama nuk është Partia Socialiste porse ai e ka zaptuar atë siç bën me rrugët për pallatet.

"Sot partia jonë është e re, 19 vjeçe, është partia e së ardhmes", përfundoi fjalën e saj Topalli.

n.e/NOA

Â

KOMENTE