English

Turizmi, skema si Shqipëria t'i trajtojë thesaret që ka në dispozicion

Turizmi shqiptar, përballë dilemës: Turizëm i tipit Disneyland apo bazuar në traditën dhe vlerat kombëtare. Ekspertët e huaj: Pasuritë tuaja kombëtare nuk janë thjesht shqiptare, por edhe ndërkombëtare. Dhe sugjerimi tjetër: "Shfrytëzoni Mesdheun, pasi lidhjet e këtij deti me botën turistike janë të pafundme"

Tiranë, 14 Dhjetor NOA - Shqipëria ka thesare të shumta kombëtare me vlera të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme që ndikojnë realisht në thithjen e turistëve dhe ato duhet të ruhen por edhe të shfrytëzohen, por edhe të mos dëmtohen, pasi janë një pasuri jo vetëm shqiptare por edhe ndërkombëtare. Ky ishte një ndër konkluzionet e nxjerra nga Konferenca Ndërkombëtare "Shqipëria dhe Politikat e Zhvillimit të Turizmit", e cila mblodhi sot (e Hënë), për disa orë në mjediset e EUFT, Universiteti Europian i Turizmit, në Tiranë, profesorë të njohur ndërkombëtarë, si dhe zyrtarë shtetërorë shqiptarë nga pushteti qendror e qeverisja vendore.

Nga ana tjetër, të pranishmit shtruan pyetjen se çfarë drejtimi përfundimtar do të marrë turizmi në Shqipëri, nëse ai do të bazohet në teknologjinë më të fundit që zhvillohet në botë, pra një turizëm të tipit "Disneyland", apo të bazuar mbi vlerat kombëtare të vendit.

Në Konferencë, nderonin me pjesëmarrjen e tyre aktive duke mbajtur fjalime të cilat hodhën dritë mbi temat që lidhen me turizmin ndërkombëtar si përvojë e sugjeruar për Shqipërinë, prof. Ferrucio Brezolin, nga Universiteti i Venecias, dr. Francesco Redi, nga Projekti i Bashkimit Evropian "La Cultura Del Fare", prof. Riccardo Laudadio, nga Universiteti i Torinos, dr. Valeria Livigni dhe dr. Sebastiano Tussa, nga Universiteti i Napolit, prof. Ignacio Internicola, nga Londra, etj.

Gjithashtu ishin të pranishëm Viktor Tushaj, Kryetar i Bashkisë Lezhë, Ilda Naço dhe Kliton Gërxhani, nga Albanian Tourism Association, Rezarta Hoxhollari nga Bashkia Fier, për projektin "Shqipëria është Kulture", përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, etj.

Konferenca Ndërkombëtare kishte në fokus çështjet e turizmit të qëndrueshëm në vendin tonë. Për këtë arsye, ekspertët ndërkombëtarë që japin mësim jo vetëm në universitetet e Parisit, Londrës, Romës, etj por edhe në EUFT, dhanë këshillat e tyre në këtë fushë, duke sugjeruar që menaxhimi, marketingu dhe qeverisja, të ndërthuren së bashku për zhvillimin e turizmit, shpallur si një nga prioritet e qeverisë shqiptare.

Prof. Dr. Salvatore Messina, tha në fjalën e tij se për të bërë turizëm të qëndrueshëm nuk nevojiten vetëm paratë, por edhe burimet e duhura njerëzore, për të cilat po investon ky universitet, i vetmi i llojit të tij në vendin tonë.

"Hoteli më i mirë në botë, në vendin më të bukur në botë, pa burimet e duhura njerëzore nuk hyn në punë", - ilustroi dr.Messina.

Duke u përpjekur që të nxisë politikëbërjen në këtë drejtim, dr. Messina tha se Shqipëria ka kulturën dhe natyrën e volitshme, por mungojnë ende disa politika që duhen vënë në lëvizje, në mënyrë që të vlerësohen këto faktorë.

Ndërkaq, dr. Sebastiano Tussa, profesor pranë Universitetit të Napolit, e vuri theksin tek arkeologjia, duke qenë se ajo është fusha në të cilën ai operon. Sipas tij, fatmirësisht, Shqipëria nuk ka pasur atë zhvillim kaotik të turizmit, si p.sh., Italia apo Greqia në disa pjesë të tyre, pasi kjo gjë do të çonte në tjetërsimin e zonave arkeologjike.

"Çështja është si t'i trajtoni këto thesare që keni në dispozicion, në mënyrën e duhur, pasi kjo gjë lidhet me identitetin tuaj dhe mund të çojë në pasurimin e vendit. Sfida për vitet në vijim është sesi të vlerësohen këto pasuri që nuk janë thjesht shqiptare, por edhe ndërkombëtare; pa i dëmtuar ato. Në këtë drejtim, duhet përcaktuar qartë se ç'lloj turizmi do të zhvilloni; atë të tipit Disneyland, bazuar në arritjet e fundit të teknologjisë; apo atë bazuar në identitetin kulturor të vendit tuaj", - theksoi  dr.Tussa, duke rekomanduar njëherazi që një nga pasuritë që duhet "shfrytëzuar" është deti Mesdhe, pasi lidhjet e këtij deti me botën turistike janë të pafundme.

Arkeologu i njohur shpreh gjithashtu bindjen se në Shqipëri duhet punuar në mënyrë që të arrihet një turizëm paksa i gjatë në kohë. "Kjo do të thotë që kur një turist të vizitojë vendin tuaj, ai të ketë mundësi të qëndrojë disa ditë, në mënyrë që të njohë pasuritë natyrore, kulturën dhe popullatën vendase", tha prof. Tussa, duke shtuar që zonat arkeologjike duhen mirëmbajtur, pasi në të kundërt, është e kotë që synohet të bëhet turizëm.

Dr. Tussa përfundoi duke përmendur se qeveria shqiptare dhe klasa politike në përgjithësi e ka kuptuar rëndësinë e parqeve arkeologjikë, duke qenë se në vendin tonë ekzistojnë 8 të tillë.

Më pas, fjalën e mori kryebashkiaku i Lezhës, Viktor Tushaj, i cili pohoi se në qarkun e tij po punohet për një plan strategjik që synon zhvillimin ekonomik e social të qytetarëve, bazuar në tri hallka; turizmin; zhvillimin ekonomik të zonës; urbanizmit të shpejtë; rritjen e cilësisë së jetesës.

Në fjalën e tij ai dha për të pranishmit një panoramë të gjerë të qarkut të Lezhës, që mbi të gjitha është një qytet me një histori mese 3 mijë vjeçare, që ndërthur në vetvete pasuritë natyrore dhe ato kulturore e gastronomike.

Së bashku me ekspertët ndërkombëtarë të EUFT-së, në qarkun e Lezhës po punohet mbi një masterplan, që sipas Tushit do të jetë strategjia për zhvillimin e kësaj zone. Në lidhje me këtë projekt, dr. Messina qartësoi se nuk bëhet fjalë për një masterplan që do të mbetet vetëm në letër e me shifra që nuk thonë asgjë, pasi ndryshimet që do të vijnë si pasojë e tij do të jenë evidente për të gjithë.

Ndërkaq, pjesëmarrës të tjerë që morën fjalën në këtë konferencë për turizmin në vendin tonë, veç prof. Ferrucio Brezolin, nga Universiteti i Venecias, dr. Francesco Redi, nga Projekti i Bashkimit Evropian, La Cultura Del Fare, prof. Riccardo Laudadio, nga Universiteti i Torinos, dr. Valeria Livigni, ishin Ilda Naço dhe Kliton Gërxhani, nga Albanian Tourism Association, Rezarta Hoxhollari nga Bashkia Fier, për projektin në Apoloni "Shqipëria është Kulturë" përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, etj.

e.r/NOA

KOMENTE