Tiranë, 15 dhjetor NOA - Ka përfunduar debati i shumëpërfolur në media mbi postin e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.Â
Shumë emra kineastësh, argumente pro dhe kundër Xhevdet Ferit, duket se morën zgjidhje me emrin e kineastit Artan Minarolli, i cili sapo është emëruar në atë detyrë. Kryeministri i vendit, Sali Berisha me një vendim të Këshillit të Ministrave, ka liruar nga kjo detyrë Xhevdet Ferin dhe ka emëruar në të Artan Minarollin.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave shkruhet: "Vendim për lirim dhe emërim në detyrë të kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë".
Më tej vendimi thotë se: "Në mbështetje të nenit 100, pika 2 të Kushtetutës, të nenit 7 të ligjit nr. 8096, datë 21.03.1996 ‘Për kinematografinë', i ndryshuar, me propozim të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Lirimin e z. Xhevdet Feri nga detyra e kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe 2. Emërimin e z. Artan Minarolli në detyrën e kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kryeministri Sali Berisha".
Emri i kryetarit të ri të QKK-së nuk është asnjë nga kandidaturat e bërë publikë që i janë propozuar ministrit Xhaferri nga kineastët për kryetarin e ri të Qendrës.
Shoqatat i kishin propozuar Ministrit të Kulturës tri emra për kreun e ri të Qendrës Kombëtare Kinematografike.
Shoqata "Lumiere" me kryetar Kujtim Çashkun, Shoqata e Kineastëve e drejtuar nga Muharrem Fejzo, Shoqata e Filmit të Animuar dhe ai Dokumentar, vendosën që në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të çohen emrat e Abdurrahim Myftiut, Bujar Kapexhiut dhe Eno Milkanit. Â
Pandi Laçi ishte një tjetër emër që iu shtua atyre që kanë propozuar shoqatat e kineastëve për kreun e ardhshëm të Qendrës Kombëtare Kinematografike, por asnjë nga këto kandidatura nuk u pranua për drejtimin e këtij posti.
Artan Minarolli, prej dy vitesh ushtronte detyrën e drejtorit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Feri ishte kryetar i kësaj qendre prej 4 vjetësh.
m.s/NOA