English

Boj Kot

Nuk jam në anën e askujt që ka kryer manipulimin, por situata e krijuar më ngjan me atë që njëra palë që ka manipuluar dhe s'ka fituar, akuzon palën tjetër që ka manipuluar dhe ka fituar. Natyrisht nuk është normale dhe në këtë rast pala e parë e ka për detyrë të tregojë shkeljet, por mënyra që ka zgjedhur për t'i treguar këto shkelje, pra ajo e bojkotit, është e kotë

Nga Elsa Ballauri Nuk do desha kurrsesi ta lidhja në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë fjalën bojkot me një perifrazim që do t'i shkonte më shumë për shtat humorit të Lakes, mikut tonë të ndjerë të Petro Ninit: në një të folur më tiranase: boj kot = bëj kot. Kjo nuk do të thotë që e nënçmoj veprimin e opozitës për ta shprehur vullnetin e saj me bojkot, pas dëshpërimit të zgjedhjeve të qershorit. Bojkoti është një shprehje e lirisë për të thënë atë që mendon. Duke mos dashur të bëj rolin e gjykatësit, në një situatë tepër të tensionuar të politikës që na e ka sjellë në majë të hundës, e quaj të nevojshme të them dy fjalë nga këndvështrimi i qytetarit që mendon se i ka ardhur më në fund sahati (në fakt sahati ka kaluar), të fillojë të jetojë normalisht. Është interesante të bësh një retrospektivë të thjeshtë e të shohësh se prej dy dekadave kohë, përveç ditëve të paharruara dhe optimiste të korrikut e pastaj dhjetorit ‘90, të shkurtit 1991 e pak më tutje, kemi kujtime të trishtuara ose shumë të trishtuara. Arritjet i dimë, por arritjet sa ç'mund të jenë në mënyrë paradoksale të mrekullueshme, siç është hyrja në NATO, aq edhe nuk mund të vlerësohen si të tilla, kur vjen puna tek jeta e qytetarëve, siguria dhe e ardhmja e tyre. Dua të ndaloj këtu për t'u rikthyer në frazën e parë të këtij shkrimi, ku fjala inflacioniste bojkot, përsëri më përkthehet në mendje me shpejtësi në atë tiparin tipik të të gjithë politikës shqiptare: të bësh kot. Me keqardhje them se të bësh kot ka qenë një devizë e pashprehur, e pashkruar, e pashpallur, por një devizë e vetëndjerë e veprimtarisë politike, e cila me falsitetin e saj i ka shkaktuar shumë dëme shoqërisë sonë. Sa fjalë të bukura u premtuan dhe s'u realizuan, sa ish të përndjekur u lumturuan kur i shkatërruam prangat e diktaturës, por shumë prej tyre vazhdojnë të vuajnë edhe sot, e të tjerë ikën për të mos u kthyer më, sa shumë besuan se demokracia do t'i bënte të jetonin jetën me dinjitet, si qytetarë të mirë e të respektuar, por fatkeqësisht kjo mundësi është shumë larg. Të bësh kot është si një instinkt i domosdoshëm për shqiptarët. E bëra kot nuk është vetëm në kohë bojkoti, nuk është e rastësishme dhe e sapokrijuar. Është një traditë që ka si nisje psikologjinë e gjatë komuniste, që e degradoi Shqipërisë në tre breza njerëzore. Mbaj mend që në atë kohë kishte një shprehje që flitej nën zë: njerëzit bëjnë sikur punojnë dhe shteti bën sikur i paguan. Kjo ishte reale, ndodhte përditë, gënjenim njëri-tjetrin dhe nuk na vinte keq për këtë: me kohë kjo u bë një sjellje, pjesë e psikologjisë së jetës, pjesë e marrëdhënieve me njëri-tjetrin. Nuk jam e para që e them se armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë shqiptarët. Bënim kot dhe dëmtonim veten tonë. Gjithsesi, jetonim në një botë diktature dhe vështirësia për ta ndryshuar atë ishte shumë e madhe. Por, paradoksalisht vazhdojmë të bëjmë kot dhe jetojmë në një botë që e quajmë demokratike dhe që të mos e ndryshojmë sjelljen e vjetër, kjo nuk na falet. Unë e kuptoj shumë mirë që opozita ka shqetësimin e vet, ka zhgënjimin e vet dhe i duhet të luftojë për të arritur atë që aspironte. Duke qenë personalisht e pranishme në procesin zgjedhor, them me bindje se procesi kishte manipulime të shumta, të vogla dhe jo të vogla. Këto përpjekje erdhën nga të gjitha anët: të gjithë aktorët politikë në zgjedhje, të mëdhenj e të vegjël, u përpoqën të favorizonin veten nëpërmjet manipulimeve. Nuk mund të ndodhte ndryshe në Shqipëri. Nëse do të ishte ndryshe në këto zgjedhje, ne nuk do ta kishim emrin shqiptarë. Kjo nuk është përbuzje, ky është realitet. Duam s'duam, jemi produkt i të shkuarës sonë dhe riparimi do shumë kohë të bëhet. Por, nga ana tjetër, në këto zgjedhje u rikuperuan disa probleme të rëndësishme të zgjedhjeve të kaluara dhe kjo me të drejtë u quajt një arritje. Të jemi realistë, në Shqipëri gjërat do të ecin shumë ngadalë, por e rëndësishme është që nga viti në vit, qoftë edhe me milimetra, ne duhet t'i përmirësojmë ato. Nuk jam në anën e askujt që ka kryer manipulimin, por situata e krijuar më ngjan me atë që njëra palë që ka manipuluar dhe s'ka fituar, akuzon palën tjetër që ka manipuluar dhe ka fituar. Natyrisht nuk është normale dhe në këtë rast pala e parë e ka për detyrë të tregojë shkeljet, por mënyra që ka zgjedhur për t'i treguar këto shkelje, pra ajo e bojkotit, është e kotë. Ka një tjetër vend ku mund të tregohet aftësia elokuente e fjalës dhe jo sharja, ku mund të tregohet përgjegjësia që ke marrë përpara njerëzve që të kanë zgjedhur, dhe jo dallkaukllëku dhe ky vend është Parlamenti. Debati parlamentar (të shpresojmë që do të jetë në lartësi të duhura intelektuale), duhet të jetë një shans për opozitën dhe pozitën, që të ketë mundësi të ndryshojë realitete njerëzore. Njerëzit presin për këtë. Thellësisht ata janë të bindur që manifestimet dhe protestat e partive janë një tjetër veprim i lodhshëm i të bërës kot, por të mjerët njerëz, nuk kanë ç'të bëjnë në një situatë kur politika ka në dorë jetët e tyre. Modeli i politikës shqiptare i të bërit kot, padyshim ka influencuar në jetët e njerëzve, pa iu lënë kohë dhe rast të gjejnë veten, të gjejnë mënyra dhe forma qytetare për t'u shprehur, për të reaguar dhe për t'u bërë të vlefshëm. Le të mos flasim për intelektualët, ata të ashtuquajturit, ata që dinë akoma më mirë të bëjnë kot, që e gjejnë lumturinë ose nën sqetulla politikanësh, ose nën rreshtore militantësh, duke na çuditur gjithmonë e më shumë me fjalorin e zgjedhur.

KOMENTE