English

Dy adoleshentë, "luftë" me policinë, zhyten me makinë në një banesë

Gjirokastër, 15 Dhjetor NOA - Aventurë tipike e filmave aksion u përjetua mbrëmjen e sotme në Gjirokastër kur dy adoleshente, njëri vendas dhe tjetri nga fshati Lazarat, pasi grabitën makinën e një biznesmeni, u vunë në ndjekje policore, ku në përpjekje për të mos u dorëzuar, u përplasën me një shtëpi të cilën e shkatërruan.

Gjithçka nisi sonte rreth orës 18.45, informon korrespondentja e agjencisë NOA. Në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër mbërrin një telefonatë nga një qytetar i cili raporton se i është vjedhur automjeti i tij tip "Benz" me targa GJ 5663 A, ngjyrë e bardhë në lagjen "18 Shtatori" të qytetit Gjirokastër.

Policia tha se pa vonesë ngriti postblloqe në të gjitha hyrje - daljet e qytetit. Sakaq, forca të shumta të policisë dhe të Sektorit të Krimeve të Rënda dhe Krimeve kundër Pronës në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër kanë ushtruar kontrolle të shumta në pika të ndryshme në brendësi të qytetit.

Rreth orës 19.00, automjeti është konstatuar nga shërbimet e policisë në dalje të qytetit duke lëvizur në drejtim të aksit rrugor Gjirokastër - Derviçan, i cili drejtohej nga një i ri dhe një tjetër ishte pasagjer, por është kthyer mbrapsht pasi rruga ishte e bllokuar nga postblloku i policisë.

Në çast, forcat e policisë janë vënë në ndjekje të këtij automjeti i cili është futur në qytet me një shpejtësi të madhe.

Si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe e lagështirës automjeti ka dalë nga rruga në afërsi të Sheshit të Çerçizit, poshtë lagjes Pllakë të qytetit Gjirokastër duke rënë mbi portën e një shtëpi dhe pjesën fundore të çatisë.

Si pasojë e kësaj daljeje nga rruga të dy adoleshentët nuk pësuan lëndime, as pjesëtarët e familjes që jetonin në këtë banesë, por banesa ku ra automjeti pësoi dëme materiale, po kështu edhe automjeti.

Adoleshentët aventurierë, pasi përfunduan kështu "sekuencat filmike", janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të mëtejshme .

Nga hetimi i kryer, rezultoi se automjeti tip Benz 240 me targa Gj 5663A, në pronësi të E.A, pronar i një mobilerie, është vjedhur nga dy adoleshentë të moshës 14 dhe 15 vjeç, ku njëri është nga fshati Lazarat dhe tjetri është nga qyteti Gjirokastër.

v.d/e.r/NOA

KOMENTE