Në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur mbarë vendin, sundon një pushtet pa legjitimitet dhe ligjëron një parlament pa opozitë në prag të një viti të ri. Kur kriza e shtetit të së drejtës, kriza e ekonomisë vetëm do të thellohen
Nga Edi Rama* (Foto Edi Rama në Berat: NOA/LSA)
Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë
Një Vit i Ri po troket në derë, por që festë për familjet shqiptare nuk ka, sepse në janar presin një faturë të re mujore.
Çmimi i ri i energjisë bën zero si fillim rritjen e rrogave e të pensioneve të këtij viti. Bizneset e vogla, që mbajnë dhjetëra mijëra familje dhe arkat e pushtetit vendor kanosen që nga një janari me TVSH e tatim fitimi. Falimentim i sigurt për shumicën e tyre. Rritje e pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë. Punësimi zero. Ushqime më të shtrenjta. Fuqi blerëse që do të bjerë muaj pas muaji, libra më të shtrenjta shkollash, vizita më të shtrenjta, spitale më të rrënuar. 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, për shkak se nuk janë në marrëdhënie pune prej dy muajsh duhet të paguajnë 4-5 herë më shumë për të trokitur te një derë mjeku.
30 mijë familje të reja bien nën nivelin e varfërisë dhe hyjnë në kushtet e ndihmës ekonomike. Por, për ndihmën ekonomike ka më pak para, ajo ka filluar të pritet arbitrarisht, fillimisht duke mos u dhënë më asgjë prej muajsh invalidëve në shumë zona të vendit.
Në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur mbarë vendin, sundon një pushtet pa legjitimitet dhe ligjëron një parlament pa opozitë në prag të një viti të ri. Kur kriza e shtetit të së drejtës, kriza e ekonomisë vetëm do të thellohen.
Ky pushtet i grabitur do t'i mbaj forcërisht mbyllur kutitë e votimit.
Ky pushtet agresiv do të bëj çmos ta kthej qeverinë e vendit në një regjim për llogari të një familjeje, familjes së Sali Berishës.
Rezistencën tonë demokratike ndaj këtij regjimi të neveritshëm, vetëm do ta shtojë.
Fuqinë e zërit tonë në funksion të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari, vetëm do ta shtojë.
Ky pushtet që me paratë e taksave bën mitingje kundër opozitës, do të shtoj thirrjet për distancim të popullit nga opozita, por urat që lidhin opozitën me popullin vetëm do t'i shtoj.
Por, vendosmërinë e opozitës do ta shtojë dhe vetëm ditët e veta do të shkurtojë. Sepse kjo Shqipëri e ndarë me gjuhën e urrejtjes, që nuk u jep më të moshuarve qetësinë merituar, që nuk u jep burrave e grave punën e kërkuar, që nuk u jep as më të rinjve perspektivën e dëshiruar, nuk mund të jetë Shqipëria jonë e vitit 2010. Ne do ta bëjmë 2010 vitin e ndarjes me këtë pushtet.
Kjo Shqipëri që nuk jep shpresë për liri të të gjithëve e as barazi të të gjithëve para ligjit, po lirinë ia jep veç familjes në pushtet, nuk mund të jetë atdheu i qytetarëve shqiptarë për vitin 2010. Ne do ta bëjmë 2010 vitin e kthimit të atdheut në duart e qytetarëve shqiptarë.
Kjo Shqipëri që nuk garanton as edhe vetë lirinë elementare të votës dhe barazinë e të gjithëve përpara votës, e cila pasi numërohet keq dhe shumë keq për llogari të pushtetit të familjes, i fshihet syrit të popullit njësoj si në ato llumokracitë e shpifura matanë kufijve të Europës ku duam dhe do të integrohemi. Kjo nuk mund të jetë në vitin 2010 Shqipëria që ëndërruam. Ata që u vranë dhe u persekutuan për votën e lirë, Shqipëria që parafytyruan, ata që dolën 20 vjet më parë në rrugë për liri e demokraci, Shqipëria e çdo shqiptari që lirinë e votës nuk e fal dhe as nuk e shet te pushteti i radhës. Ne do ta bëjmë vitin 2010, vitin e lirisë së votës dhe do të protestojmë për largimin e këtij pushteti që grabit dhe burgos kuti të mbyllura forcërisht.
Sali Berisha ka humbur të drejtën për ta qeverisur Shqipërinë, duke i shkelur të drejtën më elementare të popullit sovran për të parë votën e vet. Është një e drejtë që nuk mund të vazhdoj t'ju mohohet shqiptarëve me forcë në vitin 2010 dhe në 2010 ne do ta kërkojmë me forcë këtë të drejtë.
Do ta kërkojmë me forcë, duke kërkuar largimin e Sali Berishës përderisa kutitë nuk hapen dhe ndërkohë demokracia shqiptare po bëhet përditë e më shumë një kuti e mbyllur me liri e të drejta të cunguara, me një shtet të së drejtës përtokë, me një ekonomi shifrash të rreme. Ne nuk do të presim që Shqipëria të bjerë në greminë, por do të protestojmë për të larguar qeverinë.
Hap kutitë ose largohu është mesazhi i popullit opozitar për Sali Berishën, është kryefjala e protestës sonë.
Pushteti i së keqes, i gënjeshtrës e i shpifjes, i premtimeve të pambajtura e i zullumeve të papërmbajtura, u mohon shqiptarëve votën, u mohon punën, u mohon mirëqenien në mes të Evropës. Ky është pushteti i biznesmenit Sali Berisha, ne jemi partia e çdo shqiptari që merret me biznes.
Sot ky pushtet i vjedhur u ka borxh dhjetëra miliona euro kompanive të rrugëve, që janë zhytur nga ana e tyre në borxhe për të shtruar asfalt në kohën e shiritave elektoralë, me premtimin se lekët do t'i merrni më mbrapa. Por, siç e dëgjuat edhe nga Kryetari Bashkisë, nuk ka lekë jo vetëm për kompanitë e ndërtimit të rrugëve elektorale, por as për nëpunësit e bashkisë, të cilët janë privuar nga ministri edhe për rrogën e fundit të muajit, që thotë se do t'ua japi në janar.
Protesta jonë do të bëhet pronë e çdo shqiptari e shqiptareje që nuk e duron dot më këtë shfaqje bajate llafesh për integrim e veprash të përditshme për diskriminim.
Do të protestojmë për të drejta dhe liri që nuk falen, nuk shiten, nuk negociohen. Do të protestojmë kudo, e do të rikthehemi pas vitit të ri, ku do të kthehemi më të shumtë e më të vendosur se në 20 nëntor.
Hap kutitë ose largohu Sali Berisha.
Për ta përballur grabitësin e zgjedhjeve të 28 qershorit me të gjitha gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij. Për ta përballur këtë pinok të shekullit të 21-të me të gjithë fuqinë popullit opozitar që nuk meriton të qeveriset nga kjo qeveri e kthyer në pushtetin e një familjeje të vetme dhe të gjithë fuqinë e ndryshimit që zien në shpirtin e çdo qytetari e qytetareje të këtij vendi, pavarësisht se nëse është i majtë apo e djathtë, pavarësisht nëse i përket bindjeve tona ose jo. Por varësisht nga një ëndërr që na bashkon të gjithëve, që është ëndrra e Shqipërisë evropiane këtu në shtëpinë tonë.
Le të bëhet njëherë burrë ky gojëpërdalë plak, që ka njëzet vjet që e turpëron këtë vend e këtë shoqëri me fjalorin e tij, me të sharat e të palarat e tij, me shpifjet e gënjeshtrat e tij, dhe le të shkojë aty ku do shpifje duhet të provohet, ose duhet të dënohet.
Por Sali Berisha nuk ka ku e gjen, sepse nuk ka ku ta gjej burrërinë për ato që ka thënë përpara gjykatësit, por do të vazhdoj të prodhojë sasi balte për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga problemet madhore, dhe nga problemi i problemeve që është mbyllur në kutitë e votimit.
Hap kutitë ose largohu Sali Berisha. Sepse nuk mund ta shpallësh opozitën mafia në vitin 2009, në mes të Evropës. Nuk mund ta përdorësh pushtetin për të vërsulur shtetin kundër opozitës. Nuk mund të sundosh mbi këtë popull duke i treguar opozitës darët e ligjit. Dhe kush, ti që, je i zhytur fund e krye në borxh me ligjin dhe kushtetutën.
Nga ky shesh i këtij qyteti, të cilit Sali Berisha i ka borxh një mandat deputeti, se ka kot që përpiqet të mbuloj zullumet e veta duke ju hakërryer opozitës si një i marrë.
Nuk e ka fajin opozita për qindra miliona eurot e popullit shqiptar që janë varrosur nën gërmadhat e tunelit të shembur në Kalimash dhe kërkojnë përpara drejtësisë si të pandehur, Sali Berishën, Sokol Olldashin, Lulëzim Bashën dhe të tërë çetën që e ktheu rrugën e kombit në rrugë të korrupsionit shtetëror.
A u kujtohet çfarë tha, madje duke u zgërdhirë, për të gjithë të këqijat që i kishte nxjerrë goja 15 vjet rresht kundër Fatos Nanos. S'duhet ta kishit marrë seriozisht, tha, sepse politika kështu e ka. domethënë të gënjejmë për të bërë sikur luftojmë, që të marrim vota për të bërë sikur punojmë. Edhe ato që tha, kushedi sa vjet për Ilir Metën, ishin lojë politike, domethënë sa për të egërsuar elektoratin kundër armikut, s'duhet t'i kishim marrë seriozisht as ato, sepse në fakt zoti Meta i ulur tashmë në prehër s'është më mafioz, por nuse për integrim. Ashtu sikundër nuk janë më as hajdutë e as kusarë, as rulët e as xhuvelët, as imamët e as neritanët, qyshse janë bërë cingijet e oborrit të saliut që i bëjnë këngë ahengu për popullin shpifjet e Saliut.
Mjaft më me këtë gallatë, që e ka bërë politikën neveri dhe që i bën qytetarët e këtij vendi të mendojnë se ja kjo është politika, një teatër për burra palaço, që nuk lën gjë pa thënë kundër njëri tjetrit dhe pastaj nuk e kanë për gjë dhe pastaj të thonë se gjithçka thanë, nuk ishte asgjë tjetër veçse një lojë, siç bën pinoku ynë Sali Berisha.
2010 duhet të jetë viti i ndarjes me këtë qenefpolitikë dhe ne jemi këtu për ta udhëhequr me më vendosmëri se kurrë këtë betejë për një politikë të re, për një Shqipëri evropiane. Ku demokracia të jetë realitet, shteti i së drejtës të jetë garanci dhe ekonomia të jetë në duart e konkurrencës së lirë dhe jo të shtetit e pushtetit që prekë edhe lirinë e zgjedhjeve.
Hap kutitë ose largohu Sali Berisha.
Deri në fund.
Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të një populli Sovran, i cili nuk mund të sundohet në vitin 2009 dhe 2010 në mes të Evropës. Por duhet dhe mundet vetëm të mirëqeveriset ose përndryshe ka të drejtën të largojë qeverinë.
(*) Fjala e mbajtur sot në protestën e Beratit