Tiranë, 15 Dhjetor NOA - Këshilli Kombëtar Studentorë ka marrë pjesë sot në seancën e organizuar nga Komisioni Parlamentar për Arsimin dhe Shkencën. I përfaqësuar nga kryetari i Këshillit, Qamil Dika në seancën e posaçme për studentët e Universitetit të Vlorës "Ismail Qemali" (Departamenti i Drejtësisë), u mbajt qëndrim pro përkrahjes së kërkesave të studentëve. Në këtë seancë të pranishëm ishin përfaqësuesit e studentëve të universitetit të Vlorës, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe anëtarë të komisionit parlamentar.
Studentët shfaqën pretendimet e tyre për t'u pajisur me diplomë të nivelit të dyte dhe jo diplomë të nivelit te parë.
Pretendimet e tyre bazoheshin në mos zbatimin e reformës kurrikulare nga Universiteti "Ismail Qemali", Vlorë dhe dispozitat kalimtare të "Ligjit për Arsimin e Lartë" date 21.05.2007 i ndryshuar.
Gjatë fjalës së tij Kryetari i "KKS", Dika falënderoi Komisionin Parlamentar për mundësinë që i dhanë studenteve për tu dëgjuar, si dhe i ftoi ata si aktorë të këtij institucioni të nxisnin drejtuesit e institucioneve akademike për më shumë mbështetje ndaj përfaqësive studentore.
Gjatë punimeve të kësaj seance Dika këmbënguli që studenteve të Vlorës t'u jepet një zgjidhje ligjore dhe institucionale në një kohë sa më të shpejtë dhe të mos anashkalohen kërkesat e tyre.
E pranishme në këtë seancë anëtarja e këtij komisioni Adriana Gjonaj, në njohje të problematikës kërkoi një zgjidhje ligjore e cila t'i rezistojë kohës.
Duke parë vullnetin shumë pozitiv të deputetëve të Komisionit Parlamentar për zgjidhjen e ofruar nga "KKS", përfaqësuesit e MASH vendosën të pranojnë kërkesën e studentëve duke i ofruar atyre Diplomë të Nivelit të Dytë.
e.r/NOA