Tiranë, 15 dhjetor NOA - Tarifat që qytetarët paguajnë çdo vit për mjedisin do të rriten së shpejti. Të paktën ky ka qenë propozimi që ka bërë ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë prezantimit të strategjisë për mjedisin.
Ai ka kërkuar nga bashkitë dhe komunat rritjen e tarifave për mjedisin me qëllim investimin e tyre për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Zëvendës ministri i Mjedisit, Taulant Bino deklaroi se grumbullimi dhe përpunimi i mbetjeve urbane vazhdon të mbetet një problem i madh në vendin tonë dhe se për këtë nevojitet një bashkëpunim më i madh me pushtetin vendor.
Bino shprehu shqetësimin lidhur me mungesën e trajtimit të mbetjeve veçanërisht atyre mjekësore të cilat mund të shndërrohen në vatra sëmundjesh dhe infeksionesh të ndryshme.
Një problem serioz paraqet mungesa e legjislacionit për mbetjet urbane ndërkohë që ministria e Mjedisit deklaron se ka ngritur një grup pune për këtë çështje.
b.m/NOA